Rama takim në Lushnjë: Programi i PS do t`u kthejë qeversisjen shqiptarëve

Rilindja Shqiptare është programi i një rruge të re për Shqipërinë, e cila do u kthejë njerëzve qeverisjen. Ky është misioni që ka shpalosur Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit të mbajtur në kuadër të ristrukturimit të Forumit të Gruas Socialiste në qytetin e Lushnjës. Ai u angazhua para grave e vajzave për një program që ofron mbështjen ndaj tyre e realizon barazinë gjinore.
"Ne quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe jemi forca që i sheh të gjithë njerëzit si të barabartë dhe bën dhe do të bëjë çmos që njerëzit të gëzojnë liri dhe të drejta të barabarta. Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka gra dhe vajza që pavarësisht se kanë mbaruar shkollën, pavarësisht se kanë shumëçka për të ofruar duke punuar për këtë vend, mohohen në të drejtën e tyre për punë vetëm sepse janë gra ose sepse janë vajza. Ky është një mur paragjykimesh i cili është shumë më tepër sesa ajo çka lidhet me politikën e ditës”tha Rama.
Duke vlerësuar kontributin e gruas në Partinë Socialiste, Rama u ndal edhe në sfidën që sipas tyre këto gra ndërmarrin përballë një qeverie që e ka kthyer në traditë shkarkimin nga puna për motive politike.
“Unë e di mirë se çdo të thotë të angazhohesh me opozitën në kushtet e kësaj qeverie që realisht i përndjek nga pas, veçanërisht njerëzit e varfër. Veçanërisht njerëzit e papunë, veçanërisht njerëzit në familje në vështirësi ekonomike duke i kërcënuar në bukën e gojës dhe duke ju thënë se ka edhe më keq akoma nëse do të vazhdosh të merresh me politikë kundër nesh. E megjithatë, ju duke ardhur këtu jepni një përgjigje shumë të qartë dhe një mesazh shumë të qartë për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë me këtë prezencë të mrekullueshme duke ju thënë po, pikërisht se ka edhe më keq akoma, atëherë nuk ka kohë për të pritur sepse gjërat mund të bëhen më mirë dhe më mirë akoma, por nuk mund të bëhen vetë dhe mund të bëhen vetëm në qoftë se ne të gjithë së bashku angazhohemi në vijën e parë për liri, të drejta, shpresa dhe ëndrra që nuk mund të jenë të ndaluara për askënd në Shqipëri, qoftë burrë, qoftë grua, qoftë djalë, qoftë vajzë" theksoi ai.
Në takim merrnin pjesë edhe deputetet socialistë Arta Dade, Eglantina Gjermeni e Olta Xhaçka.
Nderkohë PS ka vijuar gjatë ditës së sotme takimet me biznesmene të vegjël. Deputetja, Kedi Shamku, është njohur me shqetësimet e tregtareve në tregun çam, të cilët kanë deklaruar se janë në prag të falimentimit. Përballë kësaj situate, deputetja Shamku i ka cilësuar gënjeshtra, deklaratat e Qeverisë e Bashkisë për ulje të taksave.