Rrotacioni në 2013-tën? Manjani i përgjigjet Topallit: Rëndon mbi PD

Sekretari për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë deklaratave të kryetares së kuvendit Jozefina Topalli, duke deklaruar se përgjegjësia mbi koalicionin e zgjedhjeve të ardhshme bie mbi PD.
Gjatë një interviste për Ora News, Manjani tha se demokratët duhet të jenë më të kujdesshëm, e të mos japin deklarata të pamenduara mire që mund të rëndojnë mbi marrëveshjen qeverisëse PD-LSI.
“LSI nuk është as bateri as gjenerator për partitë e tjera. Është me vend të kujtoj që në 7 vitet e fundit, viti i 8-të ky është PD që qeveris, nëse ka presion për rrotacion, kjo i vjen PD-së jo LSI. Nëse PD ka një cështje që do të prishë marrëveshjen politike, është problem i PD-së” tha Manjani .
Numri dy i Ministrisë së Transporteve, i komenton në këtë mënyrë akuzat e Kryeparlamentares se korrupsioni ka goditur deri në nivel zëvendësministrash.
“Unë nuk jam sindikatë zëvendësministrash. Megjithatë nuk mund të thuhet se ka korrupsion vetëm në këtë nivel dhe në stade apo kupola më të larta jo”-theksoi ai.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI thotë se kjo forcë politike ka prioritet të saj qeverisjen e mirë për integrimin dhe se ende nuk është e përfshirë nga ethet e aleancave për zgjedhjet e 2013.