E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takime me kandidatët, eliminoni përplasjet mes radhëve

31/03/2011  PS më 7 hap prill zyrtarisht fushatën. “E vetmja rrugë” slogani i saj

Partia Socialiste më 7 prill do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore. Nën sloganin “e vetmja rrugë”, kampi opozitar do të kërkojë votën e shqiptarëve për të drejtuar njësitë vendore në vend. Ndërkohë që kandidatët për kryetar bashkish dhe komunash që do të garojnë nën siglën e koalicionit “aleanca për të ardhmen” morën dje orientimet e para mbi organizimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit. Kështu, gjatë ditës së djeshme lidershipi socialist thirri në një takim informal të gjithë kandidatët e saj që do të konkurrojnë në një garë të tillë. Orientimi kryesor për kandidatët ishte pikërisht bashkëpunimi mes radhëve, duke synuar eliminimin e çdo kontradikte të lindur gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave.

Takimi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje takime me kandidatët për kryetar bashkish e komunash si dhe me deputetë sipas qarqeve përkatëse. Burime pranë kësaj selie konfirmuan se në takimet informale Rama ka porositur kandidatët e sapopërzgjedhur dhe të zyrtarizuar nga kryesia e PS-së që të nisin kontaktet e drejtpërdrejta me elektoratin e majtë, të bashkërendojnë punën me shtabin elektoral të zonave ku ata kandidojnë. Njëkohësisht ndër detyrat e dhëna për këta kandidatë veçohej dhe organizimi i një fushate zgjedhore, ku në qendër të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me qytetarët. Ndërkohë kandidatët që garojnë për herë të parë në takimet e tyre elektorale duhet të propozojnë projekte të reja për komunitetin ku ata synojnë të drejtojnë.

Bashkëpunimi

Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për zgjedhjet vendore të 8 majit u shoqërua jo me pak përplasje brenda vetë kampit rozë, por dhe mes PS-së dhe aleatëve të saj. Kështu, duke qenë se përçarja mes radhëve do të ndikonte në rezultatin zgjedhor, mësohet se kreu socialist në takimin me kandidatët për kryetar bashkish e komunash ka nënvizuar me forcë faktin se duhet të nisin sa më shpejt takimet me të gjithë të pakënaqurit. Gjithashtu në këto takime kandidatët dhe grupet e punës duhet të bindin këtë pjesë, e cila ka shkuar deri atje sa ka kërcënuar se do të luftojë në dëm të së majtës, se lufta që po përpiqet të bëjë opozita është me qeverisjen aktuale dhe jo një luftë brenda llojit.

Fushata

“E vetmja rrugë” do të jetë slogani me të cilin koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” do të prezantohet gjatë gjithë fushatës së saj elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ndërkohë që më 7 prill ky koalicion do të hapë zyrtarisht fushatën.

Orientimi

Bashkëpunimi me të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste është porosia kryesore që lidershipi socialist dha për kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. Ky bashkëpunim duhet të jetë dhe me aleatët e PS-së.

Investimet

Rama startoi përurimet elektorale

Bashkia e Tiranës ka përfunduar brenda një jave punimet për sistemimin, asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës “Medar Shtylla” (në pjesën ku takohet me rrugën “Sulejman Dibra”). Zyra e shtypit pranë kësaj bashkie bëri me dije përmes një deklarate për shtyp se kjo ndërhyrje së bashku me rikonstruksionin e rrugës “Tish Daia” synon të sjellë një përmirësim të dukshëm të situatës së qarkullimit në zonën e “Komunës së Parisit”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha se pas kësaj ndërhyrje hapi tjetër do të jetë shtrimi i të gjitha rrugëve dytësore, me qëllim që e gjithë zona të kompletohet brenda një kohe të shkurtër. “Pensionet keq, faturat më keq, punët e qeverisë akoma më keq, por të paktën rrugët, trotuaret, gjelbërimi, ndriçimi, gjithçka kemi ne këtu si komunitet, si qytet do të vazhdojmë t’i përmirësojmë, t’i çojmë përpara, t’i transformojmë, sepse edhe qeveria ditët e numëruara i ka”, - u shpreh Rama gjatë bisedave që zhvilloi me banorë të kësaj zonë. Në këtë mënyrë, kreu i Bashkisë, i cili do të rikandidojë sërish për këtë post më 8 maj, ka nisur përmes këtyre përurimeve në rrugë të ndryshme të kryeqytetit takimet e tij elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›