E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takime me krerët socialistë në rrethe

12/01/2012  Axhenda politike e PS-së për vitin 2012, selia rozë nis fushatën për vitin 2013

Riorganizimi i strukturave partiake në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, rikujtimi i 21 janarit si dhe 20-vjetori i FRESSH-it ishin ndër çështjet kryesore të takimit mes lidershipit socialist dhe krerëve të PS-së në rrethe. Kështu, i cilësuar ky si një vit elektoral, nga ana e kupolës rozë është ndërmarrë një tur takimesh me të gjithë drejtuesit e kësaj partie në nivel qendror e lokal. Gjatë ditës së djeshme ishte pikërisht radha e krerëve socialistë në rrethe që të njiheshin me prioritetet e kësaj axhendë në këtë fillim vit. Të jenë më pranë anëtarësisë dhe të zgjerojnë radhët e saj është një ndër synimet kryesore të lidershipit socialist e për këtë qëllim duhet angazhimi maksimal i të gjitha strukturave partiake. Por ndërkohë drejtuesit socialistë në rrethe duhet të parapërgatitin terrenin për turin që lidershipi socialist do të ndërmarrë në prezantimin e programit politik të PS-së. Ndërkohë tashmë bëhet një vit nga ngjarjet e 21 janarit dhe ka qenë kjo pikë një tjetër çështje e diskutuar në takim. Ndalur në përkujtimoren që do të organizojë kjo parti, drejtuesit e PS-së në rrethe kanë marrë porositë konkrete për mobilizimin e qytetarëve që duan të jenë të pranishëm në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të bërë homazhe në vendet ku mbetën të vrarë katër protestues. Gjithashtu, duke qenë se kjo javë shënon 20-vjetorin e FRESSH-it, Partia Socialiste ka vendosur të organizojë aktivitete të shumta në vend. Në këtë mënyrë, drejtuesit e PS-së në rrethe kanë marrë si orientim që kjo festë të organizohet në të gjithë vendin, pavarësisht se aktiviteti kryesor do të zhvillohet në Tiranë. Po sot pritet që të vijojnë takimet mes lidershipit socialist mbi axhendën politike të PS-së për këtë vit, duke ia lënë radhën takimit me krerët e bashkive të majta. Këto takime nisën me sekretariatin, për t’u pasuar me deputetët e më pas me krerët e PS-së në rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›