Rama takohet me raporterët e KiE-s

Takimi
Në ditën e parë të vizitës në Tiranë, dy bashkë-raporterët e Këshillit të Evropës janë takuar me liderin e opozitës,. Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kanë diskutuar me Ramën angazhimin e PS-së në kryerjen e reformave për integrimin evropian.
Rama ka theksuar se opozita ka ofruar konsenus dhe ka treguar vullnet maksimal për miratimin e ligjeve me 3/5 duke luajtur rolin që i takon në përmbushje të rekomandimeve të Komisionit Evropian. Sa i takon reformës zgjedhore, kreu i PS-së ka nënvizuar se janë angazhuar që kjo të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë dhe të zgjidhen çështjet e debatueshme.
Lideri i opozitës nga ana tjetër ka folur edhe për problemet serioze që shqetësojnë vendin siç është mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni, problemet e gjyqësorit dhe rrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë, si dhe në domsodoshmërinë e zgjedhjes së një Presidenti të Republikës mbi palët përmes një procesi në frymën e Kushtetutës së vendit.
Dy bashkë-raportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Evropës do të qëndrojnë në Tiranë në datat 2-4 prill. Tomas Jirsa, nga Republika Çeke dhe Grigore Petrenco nga Moldavia, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të vizitojnë vendin tonë me qëllim për të vërejtur nëse Shqipëria ka plotësuar detyrimet që i rrjedhin si anëtare e KiE-s.
Dy raporterët do të mbledhin fakte sa u takon çështjeve të reformave zgjedhore dhe parlamentare, luftës kundër korrupsionit, zhvillimeve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri si dhe hetimet mbi 21 janarin. Në përfundim të vizitës, Jirsa dhe Petrenco do të mbajnë një konferencë për shtyp. /F.S/