“Rama të japë llogari para drejtësisë, për marrëdhëniet e tij me Delijorgjin”

PD reagon pas deklaratave të nënkryetarit të PS-së, i cili edhe akuzohet për vjedhjen e fondeve të Mjaft!, Erjon Veliaj
TIRANE - Partia Demokratike i bëri thirrje dje kryetarit të bashkisë Tiranë, Edi Rama, që të përgjigjet për marrëdhëniet dhe lidhjet e tij me të akuzuarin kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji. Zëdhënësja e selisë së PD-ës reagoi dje pas akuzave të një prej servilëve dhe hispanikëve më të rëndomtë të Edi Ramës, Erjon Veliaj, i cili megjithëse akuzohet për vjedhje dhe përvetësim të paligjshëm fondesh të grupimit civil Mjaft!, dje vazhdoi edhe më tej sulmet e radhës kundër familjes së kryeministrit të vendit.
“Edi Rama ndërmori sulmin e radhës kundër familjes së kryeministrit të vendit, duke nxjerrë në tregun mediatik nënkryetarin e tij të ri, atë që ka ndërtuar vilë me paratë e vjedhura nga organizata jo qeveritare që drejtonte, e që më pas zhduku kompjuterin e financave të kësaj organizate për të fshehur gjurmët e parave të grabitura”, tha zëdhënësja e PD-ës.
Sipas saj, Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, që t’u japë përgjigje shqiptarëve, për disa pyetje, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me Edi Ramën dhe faktojnë realisht lidhjet e ngushta të tij me Delijorgjin, për të cilat edhe gazeta “55”, ka botuar pjesë të bisedave të tyre telefonike, para dhe pas tragjedisë së Gërdecit.
“Partia Demokratike i kujton Edi Ramës se shqiptarët presin përgjigjet për këto pyetje:
Sa ka qenë shuma që Delijorgji ka paguar për pushimet Ramës në Kretë, në Barcelonë dhe Korfuz në hotelet four seasons? Në 30 lejet e ndërtimit që i ka dhënë Delijorgjit sa ka qenë përqindja e fitimit të Edi Ramës? Pse nuk guxon të anulojë lejet e ndërtimit të dhëna Delijorgjit vetëm pak javë para aksidentit tragjik të ndodhur në Gërdec? Të përgjigjet se çfarë karakteri kanë pasur 200 telefonatat e regjistruara ndërmjet tij me Delijorgjin?”, tha zëdhënësja e PD-së.
Ajo theksoi se Partia Demokratike nuk pret që Rama t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, por nga ana tjetër thekson se pushimet e zgjatura në Evropë me paratë e Delijorgjit; fotot e tij me të në plazhet e Evropës; 30 lejet e ndërtimit të marra së bashku me Delijorgjin dhe mos anulimi i tyre faktojnë se Rama ishte bashkëpronar kryesor i SHPK-së së Delijorgjit