“Rama të jetë bashkëpunues për reformat e integrimit”

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi u shpreh dje se procesi i reformave në vend po përparon, ndërsa vullneti politik i opozitës do shërbente për plotësimin e detyrave të Brukselit dhe marrjen e statusit kandidat.
Bumçi ka kërkuar nga kreu i opozitës Edi Rama që të bëjë një sjellje normale politike dhe të jetë më bashkëpunues për reformat e integrimit të vendit, pasi duhet vullnet politik për zbatimin 12 rekomandimeve.
Ndërkaq për sa përket zgjedhjes së presidentit ai është shprehur se presidenti i ri duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës, ndërsa e ka cilësuar të gabuar votën e presidentit Topi për Ramën. Gjithashtu ai e ka bërë përgjegjës presidentin aktual edhe për ngjarjet e 21 janarit duke thënë se “Topi i dha bekimin e heshtur ngjarjeve te 21 janarit”.
Ministri Bumçi ka folur për përgatitjet e institucionit që ai drejton për turizmin në Shqipëri në prag të sezonit turistik, për të cilat është shprehur se çdo gjë është më mirë se një vit më parë.
Ministri është ndalur kryesisht në zonat turistike më problematike siç është Shkëmbi i Kavajës, e cila sipas tij ka pasur një zhvillim marramendës, por kohët e fundit ka pësuar një zbehej të turistëve për shkak të bumit të ndërtime, për të cilat Bumçi ka theksuar se do të ketë frenim të tyre dhe do të kryhen investime të shumta për sa i përket rregullimit të sistemit të kanalizimeve.
“Investimet e bizneseve nuk kanë më atë vlerë që kanë pasur më përpara në aksin prej 3 kilometrash Plepa-Shkëmbi i Kavajës, pasi ka dy ndotës të mëdhenj në këtë zonë: ujërat e zeza të pallateve dhe ndotja që vjen nga kanali Shkallnuer-Plepa. Ka një faturë financiare për disa projekte për të investuar në këtë zonë në sistemin e kanalizimeve”, ka deklaruar ministri.