E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama të lexojë drejt rekomandimet e Evropës

03/06/2010 Kreu i Qeverisë analizon vendimin për vizat dhe situatën politike në Shqipëri

“Po t’u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se vendimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë vjen si pasojë e angazhimeve të Qeverisë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Brukseli zyrtar. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Berisha u ndal në mënyrë të veçantë në ngërçin politik në Shqipëri, duke theksuar se në takimin e 20 majit në Strasburg, zyrtarët e lartë evropianë nuk përcaktuan asnjë ultimatum për gjetjen e zgjidhjes. Përkundrazi, theksoi ai, të gjithë nënvizuan faktin se zgjidhja duhet të vijë përmes respektimit të Kushtetutës së vendit, ligjeve të tij dhe vendimeve të organeve të drejtësisë. Kryeministri kërkoi nga rivali i tij kryesor politik, kryesocialisti Edi Rama, që të lexojë me kujdes rekomandimet e ardhura nga faktori ndërkombëtar për kapërcimin e situatës së vështirë politike. “Dyert e dialogut me opozitën mbeten të hapura. Por një gjë do t’i kërkoj sot kryetarit të opozitës, në interesin e tij më të mirë: të heqë gjyzlykët e së shkuarës, me të cilat lexon mesazhet e miqve dhe institucioneve ndërkombëtare”, deklaroi Berisha. Ai tha se ishte pikërisht Rama, ai i cili me qëndrimet që mbajti, e shpalli një letër pa vlerë rezolutën e Këshillit të Evropës, ku theksohej zgjidhja e ngërçit në respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave. Duke iu referuar takimit në Strasburg, kreu i Qeverisë tha se lideri i opozitës duhet t’i bëjë një ekzaminim gjithçkaje që u tha gjatë darkës së punës në Strasburg. “Kurse me daljet e tua, që nga Strasburgu, se u dha një ultimatum, po t’u them shqiptarëve se si u mbyll Strasburgu, çka një ditë do ta them se është në interesin e tyre, por po t’u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten. Është shumë e thjeshtë të dalim e të mbajmë konferenca shtypi e të themi ato që nuk janë. Kjo është shumë e thjeshtë, por nuk është serioze”, deklaroi Kryeministri Berisha.

“Kurse me daljet e tua, që nga Strasburgu, se u dha një ultimatum, po t’u them shqiptarëve se si u mbyll Strasburgu, çka një ditë do ta them se është në interesin e tyre, por po t’u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten. Është shumë e thjeshtë të dalim e të mbajmë konferenca shtypi e të themi ato që nuk janë. Kjo është shumë e thjeshtë, por nuk është serioze”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›