"Rama të mos bëjë gabimin tim me Ngjelën"
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thumboi dje me batuta ish-deputetët e selisë blu, që sot janë pozicionuar kundër nismave ligjore të qeverisë që ai drejton. Përcaktimi i ish-deputetit Spartak Ngjela, si avokat mbrojtës i ankimimit të disa partive politike mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes ujore Shqipëri-Greqi, ka sjellë reagimin e Kryeministrit Sali Berisha. Duke ironizuar pozicionin aktual të kreut të Partisë Ligj dhe Drejtësi, Kryeministri Berisha tha se "zoti Rama me zotin Ngjela mund të rithemelojnë KIS-in, por t‘i besojë avokatinë e Partisë Socialiste atij, është absolutisht aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie, që kur bie në duart e Spartak Ngjelës". Kryeministri kërkoi nga kreu i PS-së të mos përsërisë të ashtuquajturat nga kryetari i PD-së si gabime që ai i ka bërë dikur. "Për ta ndihmuar zotin Rama, dua t‘i tregoj vetëm një moment, të mos ecë në gabimet e mia. Ia besova unë një herë këtë gjë dhe desh më ‘hodhi‘ në erë të gjithë strategjinë time", tha Berisha, duke lëshuar batuta për avokatin e njohur Spartak Ngjela. "E nisa avokatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces zgjedhor. Atje e priti një personalitet ndër më kryesorët i Partisë Republikane dhe mik i imi që punonte në Shtëpinë e Bardhë. Për ta nderuar e ftuan për drekë dhe ai i pyet: zotërinj, e njihni ju Xhefersonin. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thonë po. Atëherë e dini, vazhdoi avokati, se Xhefersoni thotë se kur preket vota, rrëmbehen armët. Ata e mbyllën diskutimin dhe më thanë se ç‘është ky njeri që na ke dërguar këtu", u shpreh Berisha. Në përfundim, Kryeministri tha se "Rama, ti me Ngjelën mund ta themelosh KIS-in, pra edhe një KIS bis, por t‘i besosh atij avokatinë e PS-së është absolutisht aventura më e madhe". Sipas tij, kreu i PS-së duhet të bëjë një shqyrtim të qartë të akteve ligjore e kushtetuese të vendit dhe të thërrasë ekspertët më të mirë dhe kjo parti ka ekspertë, të cilët kanë hartuar ligjin zgjedhor dhe jo t‘ia besojë avokat Ngjelës fatet e PS-së. Spartak Ngjela, me profesion jurist, dikur një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Sali Berishës, u shkëput nga Partia Demokratike më 2006-n, pas kundërshtimeve të tij të hapura mbi mënyrën e qeverisjes së djathtë dhe mjaft ligje që qeveria kishte dërguar atëherë në Kuvend dhe që Ngjela i konsideronte antikushtetuese.
E.A.
E.A.