Leskaj: PD, përgjegjëse për bllokimin e Kuvendit
Partia Socialiste akuzoi dje mazhorancën se është përgjegjëse për bllokimin e Parlamentit. Valentina Leskaj, mbështetur te progres-raporti, foli për marrëdhëniet e Kuvendit me ekzekutivin, duke deklaruar se situata ku ndodhet sot Parlamenti vjen si pasojë e kapriçios së kreut të mazhorancës. "Në këto kushte, PS-ja kërkon respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të rregullave të funksionimit të Parlamentit, kërkon reflektim të thellë mbi rekomandimet e progres-raportit të BE-së, që Parlamenti të fuqizojë kapacitetet administrative që të kryejnë funksionin kontrollues mbi procesin legjislativ", tha Leskaj. "Aktualisht, jeta parlamentare mbetet e bllokuar, për shkak të një kapriçioje të Kryeministrit. Kërkesa e opozitës dhe gjithë popullit opozitar për të hapur kutitë, është kërkesë legjitime. Respektimi i kësaj kërkese jo vetëm do të zbardhë të vërtetën e 28 qershorit, por do të zhbllokohet edhe jeta parlamentare që i hap rrugë dialogut politik në Parlament dhe reformave që i nevojiten vendit", nënvizoi Leskaj.