E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ulet me deputetët Blushi e Fino

22/07/2011  Situata paszgjedhore dhe riorganizimi i PS-së diktojnë ndryshime në parti

Ndryshimet në përbërjen e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste po shoqërohen me takime informale mes përfaqësuesve të kësaj force politike. I tillë ishte dhe takimi mes kreut socialist Edi Rama dhe deputetëve Ben Blushi e Bashkim Fino. Dy ditë më parë u panë duke drekuar në një nga restorantet në ish-zonën e Bllokut deputetët Fino e Blushi së bashku me kryetarin Rama dhe dy miq të tij. Aktualisht Partia Socialiste ndodhet në prag të një reformimi të thellë brenda saj, për vetë faktin se nga qendra në bazë kjo parti është përfshirë në procesin e zgjedhjeve të reja. Gjithashtu një proces i tillë është deklaruar se do të shoqërohet me një analizë të detajuar mbi zgjedhjet lokale të 8 majit dhe rezultati i PS-së në këtë garë. Por ndërkohë gjatë gjithë kësaj periudhe deri në kongresin e ri të nëntorit deputetë dhe përfaqësues socialistë do të hartojnë si programin politik, ashtu dhe ndërhyrjet e reja në statutin e PS-së, që do të miratohen nga forumi më i lartë vendimmarrës. E parë më thellë, këto përgatitje, të cilat kulmojë pikërisht me zgjedhjet e reja në parti përfshijnë në vetvete spastrime në parti, ndryshime në mënyrën e përfaqësimit dhe drejtimit të strukturave drejtuese, por dhe ndryshime në përbërjen e tyre. Ndërkohë që deputeti Blushi është pjesë e grupit të punës për hartimin e programit të ri politik, ndaj nuk mund të thuhet qartë se ulja me kryetarin Rama ishte në kuadër të kësaj çështje apo të diskutimeve mbi situatën në parti, ku pritet që jo pak eksponentë të saj të mos jenë sërish në postet e larta drejtuese. Megjithatë, nga ana e tij Blushi, edhe pse në heshtje prej kohësh ka shfaqur qëndrimin e tij kundër vendimmarrjeve të lidershipit socialist. Situata paszgjedhore, ku shifrat nuk ishin të kënaqshme për Partinë Socialiste, e sidomos humbja e kryesimit të Bashkisë së Tiranës, është shoqëruar jo me pak debate brenda radhëve të saj. Kështu, edhe pse jo publike, këto debate janë të fokusuara pikërisht te përçarja e së majtës, drejtimi në mënyrën jo të duhur të kampit rozë, probleme këto që sollën për të dytën herë radhazi humbjen e opozitës në zgjedhje. Madje, zërat kritikë brenda PS-së në një moment të caktuar u dukën se tronditën pozitat e lidershipit socialist, ku në mënyrë të ndryshme i dhanë atij mesazhin e qartë për përgjegjësinë se duhet të mbajë për rezultatin zgjedhor. Megjithatë, situata në të cilën ndodhet tashmë Partia Socialiste do të mund të qartësohet vetëm pas zgjedhjeve të reja në parti, ku përveç ndryshimeve në përfaqësimin e forumeve drejtuese do të shihet qartë nëse këta zëra do të vijojnë të qëndrojnë herë të mbytur e herë rebelë.

Intervista e Ramës

“Kemi gati ndryshimet në Kushtetutë”

Kryetari i PS-së Edi Rama gjatë një interviste për “Top Channel” bëri me dije lidhur me nismat e partisë së tij, të cilat do ti propozohen shumicës qeverisëse në fillim të shtatorit.

- Zoti Rama, ndërkombëtarët kanë folur qartë me gjuhën e tyre diplomatike për sa u përket zgjedhjeve në Tiranë, duke bërë edhe pohime të forta, megjithatë ju keni kërkuar një adresim më të qartë të përgjegjësive për atë që ndodhi, që kjo situatë të mos përsëritet.

- Jo, se kjo do të ndryshonte gjësend në rezultatin e një grabitjeje të vulosur me vendim gjykate, por pa asnjë dyshim do të krijonte bazën për të hapur një proces serioz reformimi të thellë kushtetues, ligjor, institucional dhe njëkohësisht implementimi i asaj që ligjërohet.

- Disa ditë më parë demokratët përmes kreut të grupit Astrit Patozi u kanë adresuar një letër, ku ju kërkojnë ngritjen e grupit të punës për reformën zgjedhore. Ju nuk keni dhënë ende një përgjigje zyrtare. E keni një përgjigje për këtë kërkesë të demokratëve?

- Nuk bëhet fjalë për arna dhe nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu e një ligj atje, por bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz, i denjë për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të rënë të së drejtës.

- Po flitet shumë për një paketë ndryshimesh kushtetuese. A mund të na thoni diçka më shumë për këto ndryshime?

- Kemi nisur një proces konsultimesh me ekspertë, konstitucionalistë dhe opinionistë për të analizuar dhe adresuar këtë domosdoshmëri, duke shprehur edhe publikisht vullnetin tonë, që të reflektojmë mbi gabimet që mund të jenë bërë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, gabime që nuk duhet ti kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por duhen korrigjuar edhe në funksion të përmbushjes së të gjitha atyre detyrimeve të shtruara qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë.

- Cila do të jetë opozita e shtatorit? Farë nënkuptoni me “opozitë gjithëpërfshirëse”?

- Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si një rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do ti fitojmë si një alternativë qeverisëse. Pyetja që me të drejtë bëjnë të gjithë shqiptarët është se cilët jemi ne, Partia Socialiste dhe opozita, pse dhe si ne do ta garantojmë këtë ndryshim. Ne ju sigurojmë se kjo pyetje do të marrë përgjigjen që meriton dhe Shqipëria do të kthehet më shpejt se vonë në rrugën e aspiratës së saj të madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›