E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit: Të shemben simbolet e diktaturës

22/07/2011  Presidenti Topi priti dje një përfaqësi të Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë

“Kërkuam dënimin e së kaluarës diktatoriale dhe simboleve të saj të urryera”

Ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë i kërkuan dje Presidentit Topi që të dekretojë ligjin për shembjen e Piramidës, e cila sipas tyre është simboli më i urryer i diktaturës, dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar. Në një takim të zhvilluar paraditen e djeshme me Presidentin e Republikës ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë i kërkuan kreut të shtetit që të kontribuojë në dënimin e së kaluarës diktatoriale dhe simboleve të saj. Nga zyra e shtypit e Presidentit thuhet se në takimin e zhvilluar në Presidencë një përfaqësi e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i saj Besim Ndregjoni, “i parashtruan Presidentit Topi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me integrimin e plotë të tyre në jetën shoqërore, që nga dëmshpërblimi financiar për ish-të përndjekurit, vijimi i procesit të kërkimit të eshtrave të të ekzekutuarve apo nxjerrjen në dritë të fakteve e të vërtetave të dhimbshme të regjimit komunist e deri te dënimi i së kaluarës diktatoriale dhe i simboleve të saj të urryera”. Gjatë takimit të djeshëm sekretari i përgjithshëm i ish-të përndjekurve Ndregjoni dhe drejtuesit e degëve të shoqatës shprehën njëkohësisht “bindjen e palëkundur në përkushtimin dhe në përkrahjen e mëtejshme të institucionit të Presidentit brenda kornizave kushtetuese dhe ligjeve në fuqi për rehabilitimin dhe integrimin e plotë të tyre në të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë demokratike shqiptare”. Presidenti Topi nga ana e tij i siguroi se shteti shqiptar dhe institucionet e tij do të kenë përherë një vëmendje dhe kujdes të veçantë e të merituar për të gjithë ish-të përndjekurit politikë dhe përmbushjen e nevojave të tyre.

Dënimi i komunizmit

Pas përfundimit të takimit në Presidencë sekretari i përgjithshëm i ish-të përndjekurve politikë në një prononcim për mediet theksoi se “Presidenti i Republikës, si kryetar i shtetit, është garant i Kushtetutës. Ne i kërkuam Presidentit që në bazë të rezolutës së Këshillit të Evropës të marrë iniciativën që është mbi palët politike, duke parë papërgjegjshmërinë politike të klasës politike ndaj krimit komunist, që ne në bazë të rezolutës së Këshillit të Evropës të nisë dënimi i krimit komunist. Në vendet e BE-së ne nuk shohim ish-zyrtarë të regjimit komunist në parlament, siç ndodh në Shqipëri”, - tha Besim Ndregjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›