E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama vë rregull te Tirana, donatorët, paqe në heshtje

Për të mirën e skuadrës, Tirana duket se ka gjetur një zgjidhje "të heshtur". Ky mësohet të jetë rezultati i takimit të djeshëm mes kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, dhe donatorëve të klubit. Rreth orës 11:00, tre donatorët, Shefikat Ngjela, Refik Halili dhe Agron Papuli, kanë mbërritur në zyrën e numrit një të "qeverisjes" së kryeqytetit, ndërkohë që ka munguar donatori i katërt, Nuri. Hyrja, kohëzgjatja prej një ore dhe dalja kanë qenë të vetmet zhvillime të dukshme. Pas përfundimit të këtij takimi, nuk ka pasur asnjë të dhënë zyrtare se për çfarë është diskutuar dhe cili ka qenë vendimi përfundimtar. Por burime të besueshme bëjnë të njohur se konflikti që kishte përfshirë katër "bosët" bardheblu prej verës së kaluar, i cili u bë publik deri në detaje gjatë javëve të fundit, duket se tashmë e ka marrë një zgjidhje të imponuar në lidhje me detyrimet e tyre, të parashikuara në kontratën që kanë me klubin dhe me bashkinë. Bëhet fjalë për një paqe "të heshtur" mes palëve, të cilat edhe pse mund të ruajnë ende hatërmbetjet mes tyre, do të jenë të detyruara t‘u përgjigjen deri më një detyrimeve ndaj klubit të Tiranës. Enigmën e detajeve të mbledhjes donatorët janë përpjekur që ta ruajnë në maksimum. Pasi kanë dalë nga takimi, vetëm Papuli ka pranuar se "u arrit të merret një vendim i rëndësishëm për të mirën e skuadrës", por pa pranuar të sqarojë më shumë rreth tij. Gjithashtu ai ka theksuar se "do të vazhdoj të jem donator, pasi unë prej katër vjetësh financoj këtë klub dhe nuk mund të përjashtohem se dëshiron dikush". Ndërsa Halili, i cili ka qenë edhe promotori i zhvillimit të një takimi të tillë, shmangu totalisht prononcimin rreth zhvillimeve brenda tavolinës së bisedimeve. Me gjithë heshtjen e donatorëve, burime të besueshme pranë tyre kanë mundur të shkëpusin disa detaje rreth vendimit përfundimtar të takimit. Një prej tyre flitet të jetë shfuqizimi i formulës së re, asaj të rrotacionit 1-vjeçar të udhëheqjes së klubit nga një donator, duke rikthyer kështu në fuqi formulën e vjetër: atë që funksioni në 4-vjeçarin e mëparshëm të sponsorizimit të katërshes. Si rrjedhojë, donatori Nuri do të duhet t‘i rikthehet financimit, ndërsa Ngjela e Papuli do të paguajnë pjesën e mbetur të detyrimeve financiare sipas kontratës. Duket se në takim atyre u është bërë e qartë që nuk kanë asnjë të drejtë të vendosin vetë për mënyrën e drejtimit, pasi janë thjesht sponsorë dhe jo pronarë. Që formula e vjetër të funksionojë sërish, vetë sponsorët do të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për detyrimet ndaj klubit. Në të kundërt, secili prej tyre është i zëvendësueshëm, pasi, siç është bërë e njohur, të tjetër sponsorë janë të gatshëm ta financojnë Tiranën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›