E Diel, 1 Nëntor 2026

Rente mbi ju mallkimi i femijeve te ngujuar!

Ndërsa përballemi me një skemë makabre apo të shëmtuar, rëndom themi se, ky është kulmi. Por në këtë vend duket se kulmi nuk paska kurrë kulm. Ajo që pamë të gjithë, ditët e fundit, me 22 fëmijë të ngujuar është një shfaqe e shëmtuar shtetërore, përtej çdo imagjinate. 22 fëmijë, të privuar nga liria, si pasojë e pafuqisë së shtetit, ishin lënë pa bukë e pa ushqime në një qendër të ngritur nga vetë shteti për strehimin, rehabilitimin dhe shkollimin e tyre. Një drejtoreshë, e njëkohësisht drejtuese e një shoqate që përfitonte fonde nga Banka Botërore për këtë punë, dhe një kryetar bashkie, shkëmbenin akuzat se kush i ka vjedhur paratë, ndërsa një grua zemërthyer i tregonte kamerës frigoriferin, ku kishte vetëm disa kokrra vezë, me të cilat ajo duhet të ushqente 22 fëmijë.

Ngritja e kësaj qendre në Poliçan ishte një zgjedhje e autoriteteve për të ndihmuar integrimin e fëmijëve që jetojnë në familje të prekura nga ngujimi, si pasojë e konflikteve të gjakmarrjes. Ata nuk shkojnë në shkollë, nuk luajnë si gjithë të tjerët, nuk argëtohen, nuk shkojnë në plazh në verë. Ata nuk bëjnë asgjë nga ato që bëjnë bashkëmoshatarët e tyre, sepse mund t‘i vrasin. Dhe viktima ka pasur… Një realitet makabër ky, por që është realitet dhe ne po bëjmë fare pak për t‘iu kundërvënë. Ndërtimi i qendrës së strehimit dhe rehabilitimit të fëmijëve të ngujuar në Poliçan ishte një përpjekje e vakët, por gjithsesi një përpjekje, për t‘u dhënë mundësi, së paku, të arsimohen këtyre fëmijëve të dënuar me arrest shtëpie, pa bërë asnjë mëkat në këtë botë, qoftë edhe fëminor. Duke lënë mënjanë kundërveprimin e shtetit dhe të shoqërisë ndaj fenomenit mesjetar që ende mbijeton, ajo që të bën të ulërasësh është maskarallëku pa limit i zyrtarëve, që vjedhin çdo gjë që u bie në dorë, pa kursyer edhe bukën e këtyre fëmijëve.

Banka Botërore ka dhënë fonde çdo vit për këtë qendër, fonde që janë menaxhuar nga Bashkia e Poliçanit dhe një shoqatë, që bashkëpunon nën drejtimin e qendrës. Por sherret mes kryetares së shoqatës dhe kryetarit të bashkisë për "menaxhimin" e parave bënë që fëmijët të mbeten pa bukë. Për muaj të tërë, fëmijët ushqeheshin nga mëshira e banorëve të qytetit të Poliçanit. Nuk kishte dyqan ushqimor në Poliçan, që nuk kishte listë ushqimesh borxh, që administratorët kishin marrë për të mbajtur gjallë fëmijët. Bëhet fjalë vetëm për 22 fëmijë, jo pa prindër, as të vobektë apo lypës, por për 22 fëmijë që janë të burgosur nga ligjet mesjetare që veprojnë paralelisht me ligjet e integrimit në BE. Pikërisht për këtë arsye, shteti së pari e të gjithë ne, kemi detyrime ndaj tyre një mijë herë më shumë. Kryetari i Bashkisë së Poliçanit tregonte letra, sipas të cilave, qendra nuk varej prej tij. Dhe kishte të drejtë. Qendra nuk varet nga bashkia, por kjo ama që prej një muaji e gjysmë. Më herët, ajo ka qenë pikërisht përgjegjësi e saj dhe zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale thanë se fondet i menaxhonte pikërisht bashkia dhe shoqata që bashkëpunonte në trajtimin e fëmijëve.

Prokuroria ka nisur një hetim për këtë çështje dhe tani për tani, prokurorët thonë se paratë janë vjedhur (dhe s‘kanë ku të kenë vajtur tjetërkund, derisa fëmijët mbetën pa bukë). Por mund të ketë shumë me tepër se kaq. Në gushtin e vitit të kaluar, Shërbimi Social Shtetëror shpalli në media një njoftim për mbështetjen e projekteve të OJF-ve në shërbim të fëmijëve të ngujuar. Asokohe kërkuam me këmbëngulje të mësojmë se kush i mori këto para dhe për çfarë i përdori. Shërbimi Social Shtetëror refuzoi kategorikisht të informonte për këtë çështje. Edhe një kërkesë drejtuar Zyrës Antikorrupsion pranë qeverisë mbeti pa përgjigje. Edhe sot e kësaj dite, ndërsa na duhet të denoncojmë me gjithë fuqinë e zërit vjedhjen e parave që duhej të ushqenin fëmijët e ngujuar, publikisht nuk ka ende një përgjigje se cila OJF i mori ato para, çfarë u bë me këto para, sa apo cili fëmijë i ngujuar në këtë vend përfitoi qoftë dhe një ndihmë apo shërbim çfarëdo? Pretendimi se OJF-të nuk japin llogari publike se nga i marrin paratë dhe ç‘bëjnë me to, këtu nuk vlen, pasi këto janë para që kanë kaluar përmes një institucioni shtetëror, siç është Shërbimi Social Shtetëror dhe për këtë ne kemi të drejtë të dimë pikë për pikë se ku shkuan ato.

Kundërveprimi i familjarëve, të cilët i morën përgjatë gjithë natës së diel fëmijët nga qendra e rehabilitimit, për t‘i rikthyer në shtëpitë-burg, është një shuplakë e fortë për qeverinë, por edhe për gjithë shoqërinë. Fytyra humane e një shteti të tërë u bë aq pis, sa minimalisht duhej të kishte pasur ndonjë efekt të shpejtë administrativ, si përpjekje e parë vetëpastrimi. Shkarkimi demonstrativ, të paktën, i ministrit, ndonjë zv.ministri a zyrtari të lartë në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, do të kishte qenë më e pakta përballë këtij realiteti sa kriminal, aq edhe të turpshëm.

Edhe gjatë 22 ditëshit të tmerrshëm që përjetoi Gaza, organizatat humanitare arritën t‘i ushqenin më mirë fëmijët palestinezë që nuk u vranë. Ndërsa, në një vend ku qeveria investon miliarda euro për ndërtime rrugësh, në një vend ku shoqëria organizon mbrëmje ballosh me maska për ndihma humanitare, ku Zonja e Parë dhe e Dytë shfaqen në koncerte e ceremoni bamirësie, 22 fëmijë të ngujuar ushqehen me mëshirën e grave të varfra të Poliçanit.

Zyrtarët tanë vjedhin paratë e rrugëve, paratë që duhet për të ndërtuar shkolla dhe ujësjellës dhe këtu po e mirëkuptojmë babëzinë e tyre. Por të vjedhin paratë e bukës së fëmijëve të ngujuar, është vërtet një makutëri e frikshme. Në një vend ku drejtësia nuk ka për t‘i çuar kurrë në burg ata që vodhën bukën e këtyre fëmijëve, nuk na mbetet gjë tjetër veç të drejtojmë sytë nga qielli e të kërkojmë drejtësi hyjnore.

Mallkimi i fëmijëve të ngujuar e të uritur, rëntë mbi ju, o njerëz të majmur me paratë e bukës së tyre!

Dhe ky mallkim nuk ka për të vonuar, të jemi të sigurt, pasi një fëmijë i ngujuar nuk është një fëmijë që thjesht nuk shkon në shkollë apo nuk ka me se të ushqehet. Jo! Para së gjithash ai është një fëmijë me fytyrë të zverdhur, sepse nuk ka dalë në diell dhe brenda në shtëpi jeton me ankthin se një ditë do ta vrasin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›