Rama vërshohet nga ndërtimet pa leje
.jpg)
Vetëm tre ditë pas lansimit të nismës së kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për denoncimin e ndërtimeve pa leje nga vetë qytetarët, përmes faqes së internetit stoprrenimit.com, një bum fotografish kanë mbushur faqen e hapur posaçërisht për këtë çështje. Nisma, që duket se ka gjetur mbështetjen e plotë të qytetarëve, është kthyer edhe në një vend të shprehjes se indinjatës për revanshin e ndërtimeve në të gjithë territorin e vendit. Vendin e pare të denoncimit të ndërtimeve pa leje deri tani, në faqen e internetit që ndryshon minutë pas minute për shkak të shkarkimit të fotove, e zë Tirana.
Banoret e Tiranes kane dërguar foto, veçanërisht të shtesave të kateve të larta të pallateve, fenomen ky që u bë masiv gjate periudhës zgjedhore, kur kryeqyteti u shndërrua në kantier ndërtimi. Ndër to nuk mungojnë as denoncimet për shtesat e pallateve në qendër të Tiranës, apo edhe kjo foto që tregon shtesën e bërë mbi godinën e Prokurorisë së Përgjithshme, shkruan Top-Channel.
Pas Tiranës, denoncimet e shumta të ndërtimeve pa leje i përkasin bregdetit. Vlora, Golemi dhe Ksamili, por edhe të tjera zona bregdetare ku është ndërtuar pa asnjë kriter, përbëjnë edhe denoncimet e shumta të qytetareve qe ankohen se asgjë nuk ka mbetur nga vija bregdetare e dikurshme. Kryeinspektori Florenc Hoxha tha se denoncime të tilla ka edhe në portalin e bashkisë së Tiranës. Por Inspektorati i ndërtimit, sipas Hoxhës, është duke i evidentuar ato dhe nuk do të tolerojë asnjë prej tyre. Sipas Hoxhës, janë duke u verifikuar edhe ato ndërtime për të cilat kanë nisur procedurat për legalizim./Indeksonline/