Shqipëria denoncon Hrushovin: ”Ja pse po i mbledh partitë komuniste”
“Zëri Popullit” analizon situatën. “Pse nuk marrim pjesë në takim”. Qëllimi i Hrushovit për të përjashtuar partitë kundërshtare
Së pari, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë është i bindur se, në kushtet dhe në rrethanat e sotme, kur në lëvizjen komuniste ndërkombëtare ekzistojnë divergjenca të thella për çështje themelore e strategjike midis marksist-leninistëve dhe revizionistëve, rreth të cilave zhvillohet tani një polemikë e madhe, thirrja me rrëmbim e mbledhjes së partive komuniste e punëtore nuk është në dobi të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe të forcimit të unitetit mbi baza të shëndosha marksiste-leniniste, nuk është aspak rruga më efektive për forcimin e kompaktësisë së lëvizjes komuniste, por përkundrazi është rruga drejt minimit të plotë të saj. Me pikëpamjet dhe veprimet e tyre revizionistët modernë i kanë thelluar e ashpërsuar gjithnjë e më shumë divergjencat ekzistuese, e kanë minuar përherë e më tepër unitetin, janë futur gjithnjë e më thellë në llumin e tradhtisë e të përçarjes. Me të gjitha këto ata e kanë bërë edhe më të vështirë thirrjen e mbledhjes ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore, e kanë shtyrë edhe më larg atë. Tani duhet një punë më e madhe dhe një kohë më e gjatë për të përgatitur kushtet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes që do t’i shërbente me të vërtetë unitetit marksist-leninist të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Së dyti, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se mbledhja që po thirret tani me iniciativën e grupit të Nikita Hrushovit është një mbledhje krejt arbitrare dhe e paligjshme, meqenëse janë shkelur brutalisht normat e parimet e sanksionuara në Deklaratën e Moskës të vitit 1960, që rregullojnë marrëdhëniet midis partive. Askush nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e përgjithshme të partive komuniste e punëtore sipas qejfit të vet, pa u konsultuar me partitë e tjera dhe pa marrë më parë pëlqimin e tyre. Ne deklarojmë publikisht se asnjë konsultim paraprak nuk është bërë për këtë çështje me Partinë e Punës të Shqipërisë. Nikita Hrushovi, krejt arbitrarisht, ka vendosur që parimin e sanksionuar në mbledhjen e Moskës të vitit 1960, të arritjes së pikëpamjeve unike me anën e konsultimeve të barabarta e shoqërore, të zëvendësojë me parimin e nënshtrimit të pakicës ndaj shumicës. Partia e Punës e Shqipërisë është shprehur dhe shprehet kundër parimit të tillë sepse kjo është një shkelje flagrante e barazisë dhe e pavarësisë së partive motra është një orvatje për t’u imponuar të tjerëve vullnetin e së ashtuquajturës shumicë. Por edhe në qoftë se flasim për shumicën, shumica e vërtetë reale dhe jo e rreme e fiktive, nuk është aspak në anën e revizionistëve. Kundër thirrjes së mbledhjes komuniste ndërkombëtare, në kushtet dhe në rrethanat e sotme, janë shprehur në mënyrë krejt të përcaktuar një numër i konsiderueshëm partish motra që kanë në radhët e tyre rreth gjysmën e komunistëve të mbarë botës, pa llogaritur këtu një armatë të tërë komunistësh revolucionarë që bëjnë pjesë në partitë e vendeve të tjera, ku udhëheqjet kanë shkarë në pozita revizioniste dhe që gjithashtu dënojnë veprimet përçarëse e tradhtare të Nikita Hrushovit. Së treti, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se grupi i Nikita Hrushovit, duke organizuar në mënyrë të ngutshme, arbitrare dhe të paligjshme të ashtuquajturën mbledhje ndërkombëtare, në fakt ai përpiqet të organizojë një mbledhje fraksionistësh. Kjo duket qartë edhe nga letra e 30 korrikut e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ku thuhet: “Sipas mendimit tonë komisioni duhet të fillojë punën edhe në qoftë se ndonjëra nga të 26 partitë komuniste nuk do t’i dërgojë përfaqësuesit e saj në afatin e caktuar”. Dhe më poshtë, letra vazhdon: “Refuzimi i kësaj ose asaj partie nga puna kolektive nuk mund të shërbejë si arsye për shtyrje të reja në çështjen e realizimit të masave që kanë si qëllim përpunimin e rrugëve e të metodave të forcimit të unitetit internacionalist të marksist-leninistëve të gjithë botës”. Pra, është e qartë se Nikita Hrushovi ka vendosur të thërrasë mbledhjen edhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumë partive, të cilat qysh më parë janë shprehur kundër mbledhjes ndërkombëtare në kushtet dhe në rrethanat e sotme. Kjo do të thotë se mbledhja që po thirret tani do të jetë një mbledhje vetëm e udhëheqësve të disa partive, dhe kryesisht e atyre që ndjekin pas Nikita Hrushovin, do të jetë një mbledhje revizionistësh. Edhe vetëm ky fakt hedh poshtë gjithë demagogjinë e Nikita Hrushovit për gjoja unitet e kompaktësi dhe zbulon sheshit synimet e tij antimarksiste e përçarëse. Tani po bëhet e qartë për të gjithë së grupi i Nikita Hrushovit duke thirrur me ngut të ashtuquajturën mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore, synon të arrijë dy objektiva kryesore: nga njëra anë, të intensifikojë luftën kundër marksizëm-leninizmit, të dënojë disa vende socialiste e disa parti komuniste dhe t’i përjashtojë ato nga kampi socialist e lëvizja komuniste; dhe nga ana tjetër të forcojë radhët e frontit revizionist, t’i nënshtrojë gjithë revizionistët ndaj diktatit të tij, t’u imponojë atyre një kartë të re duke u lidhur duar e këmbë. Arritja e këtyre objektivave është vendimtare për fatet e grupit revizionist të Nikita Hrushovit, i cili gjendet përpara vështirësish shumë serioze. Lufta parimore dhe e vendosur e partive marksiste-leniniste dhe e komunistëve revolucionarë në botë jo vetëm u çori maskën revizionistëve hrushovianë dhe po shkatërron planet e tyre armiqësore, por ka krijuar në gjirin e vetë revizionistëve modernë situata të rënda. Midis tyre kanë lindur kontradikta të theksuara, të cilat shprehin qartë sidomos në tendencat për të kundërshtuar hegjemoninë dhe paternalizmin e grupit të Nikita Hrushovit. Në këto kushte për revizionistët hrushovianë nuk mbetet rrugë tjetër: ata duhet të çojnë deri në fund përçarjen me marksistë-leninistët, sado formale qoftë ajo. Këto plane që Nikita Hrushovi synon të arrijë me mbledhjen që po përgatit, kanë ndeshur në pengesa të mëdha, jo vetëm nga partitë marksiste-leniniste, që i kanë të qarta qëllimet tradhtare të Nikita Hrushovit në dëm të komunizmit dhe të kampit socialist, por edhe nga disa aleatë të tij revizionistë. Në radhë të parë duhet thënë se disa nga kundërshtarët revizionistë të mbledhjes së propozuar nga Hrushovi në dëm të komunizmit dhe të kampit socialist, por edhe nga disa aleatë të tij revizionistë. Kundërshtimi i tyre për mbajtjen e mbledhjes ndërkombëtare nuk frymëzohet nga preukupacioni për unitetin e lëvizjes komuniste dhe të kampit socialist, por nga qëllimi që përçarjen e plotë dhe luftën kundër marksizëm-leninizmit ta bëjnë me metoda të ndryshme nga ato të Nikita Hrushovit, më efikase, sipas tyre, me më pak pasoja të rrezikshme për ta, duke i zgjatur jetën vetes me anë të krijimit të iluzioneve false rreth pozitës së tyre etj. Veç kësaj, kundërshtimi i tyre frymëzohet nga që nuk duan t’i vënë vetes zinxhirë në duar, duan të fitojnë pavarësinë nga klika hrushoviane, të jenë të lirë të lidhen drejtpërdrejt me socialdemokracinë apo me borgjezinë imperialiste, si dhe kur të duan. Manovrat që po bëjnë tani Nikita Hrushovi dhe pasuesit e tij, taktikat që ata po përdorin nuk mund të fshehin qëllimet antimarksiste të revizionistëve modernë, armiqësinë e tyre ndaj marksizëm-leninizmit. Ata nuk do të mund të mashtrojnë askënd. E bëjnë apo nuk e bëjnë mbledhjen revizioniste, e bëjnë tani apo më vonë, asgjë nuk ndryshon. Marksistë-leninistët e vërtetë do ta forcojnë edhe më shumë luftën e tyre parimore për demaskimin e revizionizmit hrushovian dhe të të gjithë revizionistëve modernë, luftë e cila do të sjellë disfatën dhe shkatërrimin e plotë të këtyre armiqve të rrezikshëm të komunizmit.
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 6 tetor 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
Në numrin e së dielës do të lexoni:
Gazeta “Zëri i popullit” vazhdon analizën në kampin komunist. Pse Hrushovi e tradhtoi vijën marksiste-leniniste?
Si e shohin komunistët shqiptarë mbledhjen e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe qëndrimi i tyre
Cilat janë Partitë Komuniste që mbrojnë me fanatizëm teoritë e Marksit dhe të Engelsit dhe ku ndahen me hrushovianët
Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës
15 Mars 2008