Ramadani: Do ta “mbroj” Krujën

RESHAT IBRAHIMI– Mbrojtësi shkupjan Zekerija Ramadani e ka braktisur skuadrën e Shkëndijës nga Tetova dhe ka kaluar në ekipin e “Kastriotit” nga Kruja, skuadër e Super Ligës së Shqipërisë. “Kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit të “Kastriotit” që në këto pesë muaj të luaj për ata. Të premten u nisa për në Shqipëri për t’iu bashkuar skuadrës nga Kruja në përgatitjet për sezonin pranveror. Jam shumë i kënaqur që po kthehem sërish në kampionatin e futbollit shqiptar, sepse aty kam kaluar mjaftë mirë”, është shprehur “Zeka” në bisedën telefonike për “Lajm”, gjatë udhëtimit për në Shqipëri. Të kujtojmë se Ramadani edhe më herët ishte pjesë e Super Ligës shqiptare, duke luajtur me sukses për Besën e Kavajës, për të cilën luanin edhe dy lojtarët tjerë nga Maqedonia, portieri Suat Zendeli dhe mesfushori Arben Nuhiu. “Zeka” gjatë stinorit vjeshtor mbrojti ngjyrat e Shkëndijës nga Tetova me të cilën skuadër e fitoi titullin e kampionit të dimrit. Skuadra e re e Ramadanit, “Kastrioti” nga Kruja në pjesën e parë te sezonit vjeshtor ka përfunduar në vendin e tetë të renditjes tabelore, duke grumbulluar 19 pikë. Në ekipin e “Kastriotit” ai do ta gjej lojtarin nga Maqedonia, Pllumb Jusufi.