E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramadani, mes Italisë e Gjermanisë

Fatlum Ramadani konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit kosovar sot. 16 vjeçari ka zgjuar interesimin e skuadrave të njohura evropiane si Inter e Werder Bremen. Menaxherë nga Italia e Gjermania janë në përcjellje të vazhdueshme të sulmuesit kosovar. Futbollisti i FC Prishtinës shpreson që gjatë verës t’i bashkohet ndonjë ekipi evropian. Nga Moral Pozhegu më 06 maj 2011 në ora 14:34

Futbollistët e rinj kosovarë jashtë vendit e kanë më të lehtë të depërtojnë në klubet e mëdha evropiane. Por, kjo nuk do të thotë se një mundësi e tillë nuk u ofrohet edhe lojtarëve të rinj që luajnë në vend.

Rast konkret është ai i talentit të FC Prishtinës, Fatlum Ramadani. 16 vjeçari po i mahnit të gjithë në Kosovë, por edhe jashtë saj, me cilësitë e tij. Edhe pse në moshë të re, ai luan me sukses me bashkëlojtarë 2-3 vjet më të mëdhenj.

Sulmuesin e shkathtë e pret një e ardhme e ndritshme. Si rezultat i kësaj, atë po e vëzhgojnë menaxherë të ndryshëm. Njëri prej tyre vjen nga Italia. Ai ka premtuar se do ta dërgojë Fatlumin te gjiganti italian Inter.

“Një menaxher italian më ka kontaktuar dhe i ka bërë ftesë Fatlumit që të shkojë për të luajtur në Itali. Ai planifikon ta dërgojë djalin tim në Inter, por njëherë për njëherë ky ekip e ka të mbushur limitin e lojtarëve të huaj, kështu që ka propozuar që njëherë të luajë në Vicenza (liga e dytë italiane), pasi ka marrëveshje me këtë ekip”, theksoi për Express babai i futbollistit, Mehmet Ramadani.

Palët kanë biseduar së fundmi dhe Ramadani gjatë verës mund t’i bashkohet ekipit nga Serie B italiane. Mirëpo, kjo nuk është mundësia e vetme për këtë futbollist.

Ai mund t’i bashkohet edhe Werder Bremenit. Në fakt, kjo është mundësuar nga presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili ka sjellë në Kosovë përfaqësues të klubit gjerman.

“Remzi Ejupi më ka thënë se do ta sjellë një skaut nga Werder Bremeni. Dhe, para dy javësh në Prishtinë kanë qëndruar përfaqësues të klubit gjerman. Ata e kanë përcjellë Fatlumin në një ndeshje, por edhe në stërvitje. I kanë marrë të gjitha të dhënat e tij. Natyrisht, ata janë ndarë të kënaqur me cilësitë e birit tim”, vazhdoi ai.

Për Mehmet Ramadanin s’ka rëndësi se në cilin ekip do të luante djali i tij. E rëndësishme për të është që Fatlumi të luajë jashtë Kosovës, pasi në vendin tonë nuk sheh ndonjë perspektivë. “Në Kosovë s’ka kushte. Veshmbathjet, këpucët e futbollit dhe shumë gjëra të tjera duhet t’i blejë vetë. Andaj po mundohemi që ta dërgojmë jashtë, sepse këtu nuk mund të arrijë asgjë”, shtoi babai i futbollistit.

Sipas tij, Prishtina dhe Federata e Futbollit e Kosovës po përkujdesen për Fatlumin, pasi që e konsiderojnë si lojtarin më të mirë të të gjitha kohëve në Kosovë.

Fatlumi luan në Prishtinë që një vit e gjysmë. Vitin që shkoi, me ekipin e pionierëve ka realizuar 47 gola për një sezon. Te kadetët ka luajtur vetëm gjysmë sezoni e më pas është transferuar te juniorët, ku luan që nga janari. Javën që shkoi, ai shënoi 2 gola për Prishtinën kundër Trepçës.

Ai ka nënshkruar kontratë profesioniste me Prishtinën dhe paguhet 175 euro në muaj. Mirëpo, në mendjen e tij sillet Evropa, ku e sheh veten duke shkëlqyer në vitet e ardhshme.

“Unë ndihem mirë në Prishtinë, por si çdo futbollist i ri, kam dëshirë të luaj në ndonjë klub evropian. Nëse gjejmë ndonjë zgjidhje, do të dëshiroja që gjatë kësaj vere të luaj jashtë Kosovës. Nëse jo, në një të ardhme të afërt gjithsesi”, theksoi Fatlum Ramadani, i cili është pjesë e ekipit U16 të përfaqësueses së Kosovës.

Ai e ka nisur karrierën tek ekipi i Rilindjes, ku ka qëndruar deri në vitin 2007. Pastaj i është bashkuar Flamurtarit, ku luajti dy vjet. Ndërkaq, ky talent iu bashkua Prishtinës që një vit e gjysmë, ku luan me sukses.

Fatlum Ramadani është vetëm njëri nga talentët e shumtë që ka futbolli kosovar. Mirëpo, pamundësia për t’u treguar jashtë Kosovës bën që të shuhet kjo pasuri e futbollit të këtushëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›