E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramaj: “Golat për ty nënë Xhezide!



Tifozët e Erzgebirge Aue, skuadrës gjermane të Bundesligës 3 kanë një idhull të ri: shqiptarin nga Kosova, Alban Ramaj. 23-vjeçari shënoi dy gola në fitoren 3-1 kundër Sandhausen, duke përmbysur avantazhin e miqve dhe çuar Auen para 6500 tifozëve në rrugën e fitores. Ramaj: “Goli im parë ishte shumë i rëndësishëm për moralin e grupit”. Kur Ramaj tre minuta përpara përfundimit të lojës la fushën, tifozët e falënderuan me ovacione të pafundme. Albani: “Jam i superlumtur”. Komplimente për shokun e skuadrës të kavajasit Skerdilajd Curri erdhën edhe nga trajneri, Riko Shmit: “Ai është fituesi ynë i ndeshjes. Pas kritikave për paraqitjen e tij në Vehen, ai reagoi drejt”. Pas humbjes 2-0 me Visbaden, trajneri Shmit i tha Raamajt: “Ti duhet të fitosh më shumë dyluftime”. Dhe kritika ia ka vlejtur. Shqiptari ia dedikon golat nënës së tij, Xhezidesë: “Udhëtimi për të nga Vurzburgu ishte i gjatë. Nga ana tjetër, edhe babai im, Shaqiri, e vëllai, Florian, ishin në stadium”.

Dënimi me burg, babai i Lorik Canës apelon vendimin

I dënuar, më 9 shtator me një vit burg me kusht nga gjykata penale e Marsejës, babai i Lorik Canës, Agim Cana, dhe agjenti i lojtarit, Kristof Mongai, vendosën të kundërshtojnë vendim dhe ta çojnë atë gjykatën e apelit. Vendimi kishte të bënte me disa parregullsi në transferimin e mesfushorit shqiptar nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës. Agim Cana u gjet i fajtor për abuzime në lidhje më të mirat shoqërore, duke dënuar përveç burgimit me kusht edhe me 100 mijë euro gjobë. Mongai nga ana e tij u dënua për të njëjtin abuzim me 50 mijë euro gjobë, plus 20 mijë euro që duhet t’i paguajë Paris Sën Zhermenit.

Bogdani ul fenomenin “Xhenoa” në tokë

“Fenomeni Xhenoa kthehet në normale”. Ky ishte mendimi i medias sportive italiane pas fitores 3-1 të Kievos kundër Xhenoas. E në këtë shkatërrim të skuadrës gjenoveze “pjesën e luanit” e zë sulmuesi shqiptar, Erjon Bogdani, i cili në harkun e pesë minutave i dhuroi skuadrës një penallti dhe shënoi një gol, të parin të tij për këtë sezon. Fitorja e Kievos konsiderohet edhe si surpriza e javës së katërt të Serisë A. Për Bogdanin bëhet fjalë për golin e tij të 58-të në Itali dhe të shtatin me Kievon në tre sezonet që ai ka luajtur, duke marrë parasysh edhe këtë fillim sezoni. Bogdani ia kushtoi golin e tij Brian Filipit, ish-futbollistit të Ravenës, i cili gjeti vdekjen në mënyrë tragjike ditën e premte në Cervia të Italisë.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›