E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për zgjedhjet, Këshilli i Europës: Të vihen para ligjit ata që i bënë presion administratës

Publikohet raporti i Komitetit Ad Hoc për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. I papranueshëm fakti që rezultati final shpallet disa javë më vonë. Ja rekomandimet

Albert Gjoka

Autoritetet që ushtruan presion ndaj administratës publike gjatë fushatë së zgjedhjeve duhet të identifikohen dhe të përballem me ligjin. Kjo është kërkesa që vjen nga Komiteti Ad Hoc i Këshillit të Europës, i cili, menjëherë pas raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka publikuar dokumentin e tij zyrtar për procesin që sapo lamë pas. Dje është bërë i ditur raporti prej rreth 20 faqesh, i cili konstaton se “është e papranueshme për një vend anëtar të KE-së që ta shpallë rezultatin e zgjedhjeve disa javë pas përfundimit të votimeve. Raporti është përfunduar më datë 16 shtator dhe është firmosur nga Korien Jonker, përfaqësuesja e Strasburgut, e cila ishte pjesë e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Përveç zonjës Jonker, dokumenti është hartuar edhe nga shtatë europarlamentarë të tjerë dhe do të paraqitet në Sesionin I të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që do të zhvillohet nga datat 28 shtator deri më 2 tetor të këtij viti. Raporti përfundimtar i Këshillit të Europës adreson kritika të ashpra edhe për mediat, partitë politike dhe jep një sërë rekomandimesh për përmirësime ligjore në Kodin Zgjedhor. Ai thotë se është e papranueshme që disa të meta përsëritën nga njëra palë zgjedhje në tjetrën.
Raporti
Presionet ndaj administratës dhe vonesat në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, - janë dy ndër problemet më shqetësuese që ka ngritur grupi i Këshillit të Europës që monitoroi zgjedhjet e 28 qershorit. “Komiteti Ad Hoc konstaton si shqetësuese dhe të papranueshme që të njëjtat parregullsi vazhdojnë të përsëriten nga një proces zgjedhor në tjetrin, të tilla si rastet e keqpërdorimit të burimeve administrative. Nëpunësit publikë, mësuesit e shkollave dhe personeli mjekësor, kur ata mbështetën kandidatët e opozitës, veçanërisht në zonat rurale, u kërcënuan me humbjen e vendeve të punës”, - thotë draft-raporti që do të paraqitet pas disa ditësh në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Më tej ai vijon: “Në lidhje me këtë, Komiteti Ad Hoc fton zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të ngritur një grup të përbashkët dhe për të shqyrtuar të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi njerëzit gjatë fushatës zgjedhore dhe për të nxjerrë përgjegjësitë për shkelësit e ligjit zgjedhor”
“Komiteti Ad hoc thekson si të papranueshëm që dhjetë apo më shumë ditë pas datës së votimit, qytetarët e Shqipërisë dhe bashkësia ndërkombëtare nuk janë të informuar ende nga rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare në një vend me rreth 3.1 milionë votues”, - thotë raporti. Ata pohojnë se një gjë e tillë “dobëson në mënyrë të konsiderueshme besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij”. Sipas raporterëve, “numërimi i votave u shoqërua me një nivel shumë të lartë të mosbesimit nga partitë politike, përfaqësues të partive politike në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore”. “Në shumë raste, numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Në disa raste, problemi ishte për të vendosur nëse vota nga qendrat e votimit të caktuara duhet të numërohej ose jo. Për pasojë, - thonë monitoruesit e Strasburgut, - Komiteti Ad Hoc rekomandon që për zgjedhjet e ardhshme procedura e numërimit të votave duhet të përmirësohet ndjeshëm dhe numri i ekipeve të numërimit të rritet ndjeshëm në çdo zonë të qendrave të numërimit”. Ndër kritikat që nxjerr në pah raporti janë edhe mënyra se si u bë procesi i përfshirjes së grave në Kuvend dhe roli i medias në fushatën zgjedhore. Përfundimisht, edhe KE-ja thekson se politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e konstatuara gjatë fushatës zgjedhore tronditën besimin e publikut. Çështja e kartave të identitetit u kthye në një debat qendror të fushatës, duke mënjanuar problemet me të cilat duhej që të merreshin partitë politike.
Vlerësime
Komiteti Ad Hoc i Asamblesë Parlamentare thekson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 në Shqipëri shfaqën përparim të theksuar falë futjes së procedurave të reja për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve dhe për miratimin e një kuadri ligjor të përmirësuar. Ata konstatojnë se pati përmirësimet edhe në funksionimin e KQZ-së. Pikë pozitive ka marrë edhe mënyra e organizimit të votimeve dhe qetësia me të cilën u realizua procesi. Po ashtu, “Komiteti Ad Hoc mendon se ndryshimet në Kushtetutë dhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, të miratuara në bazë të një konsensusi të gjerë mes dy partive kryesore politike, kanë sjellë përmirësim të konsiderueshëm në legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë”.
Rekomandimet
Komiteti Ad Hoc i fton autoritetet shqiptare që në pajtim me procedurën e monitorimit, me angazhimet dhe obligimet e saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, të punojnë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe kapacitetet e administratës zgjedhore në disa drejtime: “Duhet të përmirësohet regjistri i statusit civil dhe regjistri zgjedhor, t’i jepet një zgjidhje problemit për të drejtën e votimit për shtetasit shqiptarë që janë në emigrim. Pika e dytë ka të bëjë me rolin e mediave dhe financimin e fushatave publike, i cili përbën disavantazh për partitë politike që nuk përfaqësohen në Kuvend”. “Rregullat e transparencës në lidhje me pronësinë e mediave, zbatimi efektiv i tyre, si dhe forcimi i besimit të votuesve në paanësinë e sistemit zgjedhor”, - është një ndër rekomandimet e tjera. Po ashtu, një tjetër rekomandim ka të bëjë me “mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore të niveleve të ulëta, si të papajtueshme me një administratë zgjedhore, të paanshme dhe profesionale. Të garantohet një pozitë e privilegjuar për kandidatet gra, sipas ndryshimeve të bëra në Kod”.
“Komiteti Ad Hoc konsideron se Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet vetëm në pikat ku një gjë e tillë është e diktuar nga standardet ndërkombëtare ose në probleme të veçanta. Për pjesën tjetër, në mënyrë që të garantojnë besimin e qytetarëve të vendit, autoritetet shqiptare janë të ftuar të shtojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar plotësisht legjislacionin zgjedhor”, - thuhet në listën e rekomandimeve. Sipas tyre, “zbatimi i sinqertë i rregullave është po aq i rëndësishëm sa dhe thelbi i tyre”.
Ky raport vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it. Shqipëria, si vend anëtar i Këshillit të Europës, është e detyruar që të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga konventat e kësaj organizate dhe nga rezolutat monitoruese që miratohen nga Asambleja Parlamentare e KE-së.

REKOMANDIME
- Të rregullohet regjistri i Gjendjes Civile dhe regjistri zgjedhor
- T’i jepet zgjidhje të drejtës së votimit të emigrantëve
- Të bëhet rregullimi i rolit të mediave dhe transparenca e financimit të partive
- Të bëhen rregullime për transparencën e financimit të mediave dhe zbatimi i tyre
- Të synohet forcimi i besimit të votuesve në paanësinë e sistemit zgjedhor
- Të qartësohet mënyra e shkarkimit të komisionerëve të niveleve të ulëta
- Të garantohet një pozitë e privilegjuar për kandidatet gra
- Të rishikohen në Kod pikat e nënvizuara nga OSBE/ODIHR-i

Raporti i OSBE/ODIHR-it: Zgjedhjet, të mira, por pa standarde

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga vizita e zhvilluar në fundin e gushtit në Tiranë nga zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, raporti final doli me një paradoks: Zgjedhjet e 28 qershorit ishin konform angazhimeve që ka Shqipëria si vend anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian, apo edhe anëtare e Këshillit të Europës, por ato nuk i realizuan standardet. Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi dje zyrtarisht raportin final të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku gjuha diplomatike e institucionit që certifikon procese të tilla është tejet e vështirë për t’u kuptuar. Një gjë e tillë konfirmohet edhe në vlerësimin për procesin e numërimit, ku 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave vlerësohen keq ose shumë keq nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it. Konkluzionet e dokumentit që certifikon zgjedhjet, edhe kësaj radhe u interpretuan sipas interesit nga partitë politike falë “gjuhës” së përdorur nga OSBE/ODIHR-i, i cili kësaj radhe e ka lënë mënjanë “gjuhën” e “standardeve” dhe flet me gjuhën e “angazhimeve”.

Zgjedhjet e 28 qershorit, në pritje të raportit të NATO-s

Pas publikimit të raportit nga OSBE/ODIHR-i dhe publikimit të draft-raportit që do të miratohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, pritet edhe raporti i fundit që do të nxjerrë Asambleja Parlamentare e NATO-s. Në sesionin e vjeshtës, që pritet të zhvillohet në muajin nëntor, zoti Brus Xhorxh, një nga kritikët më të mëdhenj të procesit të zgjedhjeve pas datës 28 qershor, do të paraqesë të dhënat e tij për zhvillimin e procesit. Pas publikimit të raportit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-I, kanë reaguar të gjitha institucionet ndërkombëtare. BE-ja konstatoi se ka progres të dukshëm, ndonëse përmend aktet e dhunës që shoqëruan fushatën dhe politizimin e aspekteve teknike. Ajo i bëri thirrje opozitës që ta zhvillojë betejën politike në një institucion kyç të demokracisë, siç është Kuvendi. Ndërsa Uashingtoni zyrtar vlerësoi me nota negative edhe procesin e numërimit apo edhe aspekte të tjera të fushatës. Notat e këtyre zgjedhjeve do të përcaktojnë fatin e liberalizimit të vizave dhe kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

“Dosja e zezë” e PS-së, u larguan mbi 70 persona nga puna

PS-ja paraqiti të ashtuquajturën “dosja e zezë” për zgjedhjet e 28 qershorit, të cilën e dorëzoi më 20 korrik te të gjitha organizmat ndërkombëtare. Heqja nga puna e punonjësve të administratës dhe lirimi i të dënuarve gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve ishin ndër pikat më të forta të dokumentit prej 50 faqesh që përgatitën strukturat e PS-së. Raporti ofronte të dhëna edhe për dhunën e ushtruar në fushatë, vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, listat e zgjedhësve, pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, procesin e votimit dhe numërimit.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›