E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramazan Zeneli; “Genc Kasharin e kanë vrarë me bukë në gojë”



Në gjendje jo të mirë si shpirtërore, ashtu dhe për shkak të moshës, ka dëshmuar tre orë para gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Shpirtërisht i vrarë për shkak të ekzekutimit të të birit, Nimetit, nga eksponentët kryesorë të “Bandës së Lushnjës”. Nuk ka ngurruar të deklarojë edhe emrat e personave që i vranë të birin. “Enver Dondollaku e Arben Boriçi më vranë djalin. Këtë fakt ma ka deklaruar kohë më parë Gramoz Selmani. Djali im u vra pse ishte i shoqëruar me ta”, - ka dëshmuar dje shtetasi Ramazan Zeneli, babai i njërit prej viktimave të shumta të bandës famëkeqe të Lushnjes, e drejtuar nga Aldo Bare e Enver Dondollaku. Për shkak të gjendjes jo të mirë emocionale, gjatë dëshmisë, gjykata i kërkoi dëshmitarit të ulet në një karrige dhe të flasë mbi gjithçka di rreth ngjarjes. Pasi ka dëshmuar për gati 3 orë, Zeneli ia ka lënë radhën për të dëshmuar dy dëshmitarëve të tjerë, Halit Pajës e Musa Hakisë. Njëri prej tyre nuk dëshmoi, pasi kishte lidhje familjare me një prej të pandehurve, ndërsa tjetri iu përgjigj të gjitha pyetjeve, se nuk mbante mend gjë. Dëshmitarët nuk kanë pasur mundësi të përballeshin me të pandehurit, pasi kafazi qëndron bosh prej disa seancash, qysh prej ditës kur në sallën e gjyqit ka dhënë dëshminë e tij Shkëlqim Haxhiu, i cili akuzoi drejtpërdrejt si autor të vrasjes së djalit të tij, të pandehurin Rexhep Gina. Dëshmia e Zenelit u kundërshtua nga avokatët e mbrojtjes, të cilët akuzuan organin e akuzës për manipulim të dëshmive. Sipas tyre, dëshmia e Zenelit është manipuluar nga oficerët e Policisë Gjyqësore, dhe e njëjta dorë që ka përpiluar dëshminë e Gramoz Selmanit ka përpiluar edhe dëshminë që dha Ramazan Zeneli. Avokatët kanë hedhur hije dyshimi në lidhje me dëshminë që dha Zeneli dhe madje kanë thënë se dëshmia e tij nuk ka lidhje me objektin e akuzës.

Dëshmia

Të vetmit që kanë arritur të dëshmojnë dhe të hedhin dritë mbi disa krime të kryera nga “Banda e Lushnjës” dhe të pandehurit e këtij procesi, janë të afërmit e viktimave, ata që janë prekur nga këto krime. Madje, kanë pasur kurajën të deklarojnë emra konkretë autorësh, duke i dhënë rrugë këtij procesi. I prekur nga krimet e bandës ka qenë edhe i moshuari Ramazan Zeneli, i cili për 3 orë ka rrëfyer para gjykatës vrasjen e të birit, ku ndodhi, kush e lajmëroi dhe cilët ishin autorët e saj. Madje, Zeneli rrëfeu edhe momentin që e gjeti të vrarë me bukë në gojë shokun e djalit të tij, Genc Kasharin. “Nuk di kush e ka vrarë, por ajo që mund t’u them është se e kam gjetur të vrarë me bukë në gojë shokun e tim biri, Genc Kasharin”. Ndërsa lidhur me vrasjen e të birit, dëshmitari guxoi jo vetëm të tregonte si kishte ndodhur, por edhe kush ia kishte vrarë djalin. “Ngjarjen e kam mësuar nga Gramozi, shoku i djalit. Ditën kur është vrarë, im bir ka qenë duke udhëtuar dhe në automjet ka qenë me Gramoz Selmanin, shokun e Tur Dajës dhe një shtetas me emrin Elmaz. Ngjarja ka ndodhur në Kolonjë të Lushnjës. Makinës i është afruar Enver Dondollaku dhe Arben Boriçi, të cilët kanë qëlluar për t’i vrarë. Djali im është plagosur dhe është munduar të largohet, por pa mundur, sepse Dondollaku dhe Boriçi e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar për vdekje. Atë ditë i shpëtoi vrasjes Selmani dhe ai personi me emrin Elmaz, ky i fundit për t’u vrarë disa muaj më pas”. Megjithëse për vrasjen e Nimet Zenelit, dëshmi kyçe konsiderohet ajo e Gramoz Selmanit, i vetmi dëshmitar okular i mbetur gjallë, për prokurorinë, Nimet Zeneli u vra vetëm pse ndodhej në shoqërinë e kundërshtarëve të bandës, gjë të cilën e theksoi në dëshmi edhe i ati i tij.

Dëshmia e Shkëlqim Haxhiut

Gina më vrau djalin, Bare më dogji shtëpinë, Ciçi më vuri 8 milionë lekë gjobë

“Quhem Shkëlqim Haxhiu, banor i qytetit të Lushnjës dhe biznesmen”. Kështu e ka nisur rrëfimin e tij para togave të zeza dëshmitari Haxhiu, i cili vijoi dëshminë me faktet rrëqethëse dhe tregoi me emra personat që i shkaktuan ato dhimbje. “Në vitin ’98 në banesën time kanë mbërritur para derës sime Arben Boriçi, Erion Ciçi, Ilir Stërkaj, Agur Musaku dhe një person i quajtur Shvejku. Këta persona më kanë djegur shtëpinë. Enver Dondollaku dhe dy vëllezërit Boriçi kanë ardhur para portës sime me një furgon të bardhë, të veshur me uniforma ushtarake, kallashnikov dhe m’u paraqitën si Policia Kriminale. Janë këta persona që më kanë marrë familjen peng, pasi unë dhe im bir jemi larguar nga shtëpia. Djalin e kam zbritur me çarçaf nga dritarja, ndërkohë që gruaja, vëllezërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë lëvizur. Kur kanë shkuar brenda në banesë e kanë qëlluar vëllain tim me tytën e pistoletës në ballë dhe i kanë thënë se mund t’i ndodhte më keq se kaq”, - deklaroi dëshmitari Haxhiu, duke shtuar se “arsyeja pse i vunë zjarrin banesës sime ishte mosdhënia e gjobës që më vuri Erion Ciçi, konkretisht 8 milionë lekë të reja. Këta djem i njihja mirë, pasi kam një jetë me ta në qytetin e Lushnjës. Im bir më ka thënë se ditën që iu vu zjarri shtëpisë, jashtë saj ishin Alfred Shkurti dhe Rexhep Gina”. Më pas Haxhiu ka akuzuar në sallën e gjyqit Rexhep Ginën, si autor të vrasjes së të birit.

Dëshmia e Mimoza Demirit

Aldo Bare ma vrau burrin para syve

“Aldo Bare ma vrau burrin, ishte i shoqëruar me katër persona me uniformë policie”, - ka deklaruar disa muaj më parë Mimoza Demiri, bashkëpunëtore e drejtësisë. Për gati tre orë me radhë ka ritreguar ngjarjen në të cilën katër persona të veshur me uniformë policie dhe pa kapele kanë shkrepur këmbëzën e automatikut, duke i lënë të vrarë bashkëshortin e saj përpara duarve, pamje që, sipas saj, nuk ka për ta harruar kurrë. Vrasja ka ndodhur në gusht të vitit 1999, muaj në të cilin ka pësuar fatkeqësinë që e solli para kësaj gjykate, momentin kur anëtarët e “Bandës së Lushnjës” kanë vrarë bashkëshortin e saj, Xhevat Demiri. Dëshmitarja okulare e kësaj ngjarjeje e ka dhënë dëshminë e saj me video-konferencë, duke shmangur në këtë mënyrë përballjen me ata që i konsideron autorët e krimit të rëndë, të kryesuar nga kapoja i tyre, Aldo Bare. Sipas dëshmisë së saj, atë ditë ishte duke u kthyer me bashkëshortin e saj për në Lushnje, me furgonin e tyre të bardhë, ndërkohë që së bashku me ta në makinë ndodheshin edhe dy shokët e tij. Rrugës duke hyrë për në qytet iu ka dalë një makinë policie, e cila, pasi ka parë që kanë qenë familjarë është larguar. Por, vetëm pak minuta më vonë, sipas dëshmisë së Mimoza Demirit, furgonit i kanë dalë përpara katër persona, të cilët ishin të veshur me uniformë policie, por që ishin pa kapele. “Midis tyre i pranishëm ka qenë dhe Aldo Bare, i cili qëlloi mbi burrin tim së bashku me të tjerët”, - rrëfeu gruaja për trupin gjykues. Sipas dëshmitares, pasi i kanë kërkuar që ky i fundit të dilte nga makina, e kanë qëlluar me automatik disa herë. Gruaja i ka bërë të ditur gjykatës se pasi i kanë qëlluar bashkëshortin, të katër personat janë larguar dhe ajo nuk ka parë nga kanë shkuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›