E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ramën e ka lënë në baltë dhe Fideli”

19/01/2012  Kryeministri komenton propozimin e kryesocialistit për taksën progresive

Berisha: Kreu i PS kërkon të ndëshkojë ish bisnesmenët e tij

Kryeministri Berisha e arsyetoi kërkesën e kreut të pozitës Edi Rma për taksën progresive si një mjet të kryeopozitarit për të mbajtur nën kontroll biznesmenët që nuk i bindeshin. Në mbyllje të fjalës së tij gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kreu i saj tha se, sa ishte kryetar bashkie, Rama nuk e përmendi ndonjëherë taksën progresive. “Unë ju garantoj se zoti Rama këtë problemin e taksës progresive nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më që kur iku nga Bashkia. Tani edhe drekat që shtron, rroftë Gjushi, se nuk i afrohen më as Fideli dhe as ata të tjerët, të cilët nuk japin më asnjë kacidhe, sepse nuk ka më leje duke bllokuar lejet e të tjerëve, por kjo nuk mund të na udhëheqë ne”, - deklaroi Kryeministri. Shefi i ekzekutivit, duke iu referuar programit të shefit të selisë rozë për taksat në kohën kur ishte kryetar bashkie, tha se politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtira. “Politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtira. Se deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive. A pati ai ndonjëherë ndonjë program për bashkinë e Tiranës, a e dëgjuat ju ndonjëherë të thotë se do të rrisë taksat? Asnjëherë. Pra, si përfundim politika e tij e taksave është furtunë në një gotë ujë, e cila më shumë kërkon të frikësojë një grup që s’mund ta kontrollojë më, sepse në fakt, ata e kanë kontrolluar gjithmonë atë, por përsëri ishte reciproke, ndërsa tani nuk kanë më ndonjë pasion për të”, - vijoi Berisha. Propozimi i kreut të PS-së për aplikimin e taksës progresive u bë gjatë prezantimit të programit në Asamblenë e PS-së. Në reagimin e tij Kryeministri tha se Rama me këtë propozim po tenton të dëmtojë sistemin ekonomik fiskal të Shqipërisë. Sipas tij, tentativa e kryetarit të PS-së për të rikthyer doktrinën marksiste, e cila rezultoi një sistem katastrofik, është një alternativë mjerave, ndaj Berisha e ka quajtur programin fiskal të PS-së të tipit marksist, i cili nuk mund të shëtisë me në rrugët e Shqipërisë, pasi shqiptarët e kanë provuar atë në mënyrën më të tmerrshme. Në mbledhjen e qeverisë Berisha u fokusua tek arsimtarët, për të cilët shprehu domosdoshmërinë e reformimit të tyre sipas praktikave evropiane. “Janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 60 % të shkollave ekzistuese të vendit, ndryshime rrënjësore janë bërë me pajise në bazën laboratorike, në kurrikul, por sërish në politikën tonë mësuesi dhe para së gjithash mësuesi do të mbetet ne epiqendër të përpjekjeve tona. Vetëm një sistem që garanton kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të vendit, konsolidon gjithnjë e më tej sistemin arsimor” tha Berisha

Përmbarim privat

“Deri në fillim të 2013-s Shqipëria do të ketë veçse përmbarim privat. Kjo do të garantojë shkallën maksimale të zbatimit të vendimit të gjykatave. Përmbaruesit publikë do të marrin licensën e përmbaruesit privat sapo të shkëputin marrëdhëniet me përmbarimin publik.”

Kualifikimi i mësuesve

“Të gjitha agjencitë e Ministrisë së Arsimit që trajtojnë problemin e kurrikulës parauniversitare të trajnimit dhe të formimit të mësuesve duhet t’i nënshtrohen një procesi të thellë reformimi, në mënyrë që të gjithë të qëndrojnë në lartësinë e kësaj detyre kryesore.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›