Pasnesër 21 janar, dita e “400-mijëlekëshave”
19/01/2012 Një ditë e zakonshme do të zbardhë edhe pasnesër për shqiptarët. Gjithkush do të ndjekë udhën e përditshmërisë rutinë apo të alternuar me ndonjë argëtim. Mëngjesi i vrullshëm, me trafik e me pak tension, dreka si përherë dhe pasditja apo darka me larmishmërinë e mundësive që ofrohen. Pra, secili do të shohë hallin e tij. Vetëm rastësia e datës tregon se pasnesër është 21 janar 2012, pra mbushet fiks një vit nga demonstrata e dhunshme që organizoi Partia Socialiste e Shqipërisë. Bilanci 1-vjeçar hetimor flet për dështim absolut të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila jo vetëm që nuk gjeti prova për të akuzuarit e 4 vrasjeve, por as guxoi të formulonte akuzë për dhunë ndaj institucioneve, ndaj organizatorëve të demonstratës. Një tis i lehtë dridhjesh mund të kalojë pandërgjegjshmërisht nën lëkurët e gjithkujt që pa me sytë e tij gjëmën e asaj dite të mbrapshtë. Por vetëm kaq. Thjesht kujtime të ngulitura në memorien e policit që u mor me gurë e drurë nga ca “400- mijëlekësha” të dehur me alkool e të droguar me hashash. Imazhi i tretur në kujtesën e gazetarëve që raportuan direkt ndodhitë ringjall një skemë makabre frymëzimi e koordinimi perfekt të atij sulmi me përmasa të papara as ndër rreshta historie. Këta protestues, që ambasadori Arvizu i cilësoi “me axhendë tjetër nga mijëra paqësorët”, i dhanë tjetër drejtim thelbit të demokracisë, protestës së ligjshme paqësore (ja, sikur ndonjë kokërr vezë të përplasej mbi murin e Kryeministrisë, s’do të ish kushedi se çfarë). Shkulja e pllakave nga trotuari, thyerja e tyre më dysh për bërje gati për fluturim, rrymat e të vegjëlve, që mësynin më këtë anë të Piramidës dhe përplasja e “Benzit” me portën e Kryeministrisë sollën edhe çastin final të vrasjeve. Cili urdhëroi apo kush qëlloi? A u prek viza e kuqe që Garda e Republikës së Shqipërisë lejon në institucione të sigurisë së lartë? Për përgjigjen e këtyre pyetjeve ishte detyrë e oficerëve të policisë që të mblidhnin provat dhe prokurorëve që të formulonin akuzat. Ndonëse u bë rezistencë për dorëzimin e gardistëve, ata shkuan të gjithë në prokurori dhe në gjykatë dhe disa procese gjyqësore janë ende në vijim. Cili i organizoi ata “400-mijëlekësha” të mbledhur me kujdes nga gjithfarë getoje qyteze apo kryeqendër komune, të gjithë me precedentë penalë (pra sherrxhinj safi)? Edhe këtë detyrë e kishte prokuroria. “Kisha ca punë në Lanë”, - tha në gjyq një banor i Përrenjasit. Ec e merre vesh se ç’punë kishte në Lanë një përrenjsalli! Por në vend që të zbulohej i gjithë ky skenar ogurzi, organi i akuzës po pushon dosjen për organizatorët për arsyen e njëjtë: mungojnë provat. Demek nuk vërtetohet dot se ky punëtori i madh i Përrenjësit pikërisht më 21 janar 2011 kishte një punë te Lana. (More po mos kishte për të bërë shu… poshtë urës ai dhe u shkul nga Përrenjësi për këtë punë kaq të ngutshme?) Pastaj, ishte që ishte në Lanë, e mori rryma e protestës dhe e shpuri përballë policëve. Meqë mbaroi punë në Lanë, mendoi të hidhte ca pllaka trotuari. Turp i madh për besë! Ata që i thirrën në këtë “protestë paqësore”, u mbyllën në një kullë, në vend që dilnin në ballë të protestës për t’i dhënë më pas një dorë arsyetimit të përrenjëslliut për “punën e ngutshme në Lanë”. Gjithsesi, mendoj se atmosfera e krijuar atyre ditëve të janarit që shkoi ishte aq e rëndë, saqë ndihej në çdo hap të hedhur në rrugë, në çdo bisedë shoqërie në tavolinë dhe në çdo familje shqiptare. Vrasjet ishin të rënda dhe u ndien në ndërgjegjen e gjithkujt. Askush në pushtet nuk ia dëshiron vetes t’i ndodhë diçka e tillë, dhe kjo shihej qartë edhe në fytyrën e Kryeministrit Berisha. Por ama po aq i rëndë ishte dhe imazhi që Shqipëria reflektoi ato ditë në opinionin ndërkombëtar. Katër viktima, dhjetëra qytetarë dhe policë të plagosur, dyqane të shkatërruara, biznese të mbyllura, rrugë boshe, makina të djegura dhe tym në qiell ishte gjithçka na la pas dëshira e Edi Ramës për t’u bërë kryeministër pa zgjedhje. Pasnesër mbushet plot një vit qëkur përrenjsalliu erdhi në Tiranë për atë “punën me ngut në Lanë”, ndaj ata që e sollën kanë menduar organizimin e kortezhit paqësor me muzikë funebër, pa pankarta në duar dhe me fotot e 4 viktimave te vendi ku janë vrarë. Meqë e gjithë zallamahia u krijua nga ata që Arvizu i quajti “demonstrues me axhendë ndryshe”, pse të mos quhet 21 janari si dita e “400-mijëlekëshave”?