E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramën po e tallin edhe të vetët

10-07-2011 / Gazeta 55

Askush s’e ka seriozisht “aksionin popullor” të Edi Ramës, por deputetët e PS-së po vënë në jetë një farsë të mospranimit të rezultatit përmes pyetjeve të stilit kinez “tetë pika për katër pyetje”, të sigurt se tani ka ardhur koha që kryetari i partisë të mbajë personalisht përgjegjësi për 8 majin. Në seli përmendet thënia komuniste se duhet të pritet që me gushtin, të ikë vapa, para se të flitet për “rezistencë”


Lajmi/Rama përgatit Xhafën për internim, vlerëson se i tradhtoi procedurat e PS-së, për shkak të pazareve të kunatit


Mbaroi procedura zyrtare e zgjedhjeve të kryeqytetit dhe tani tensioni është orientuar atje ku edhe qendron me të vërtetë, tek Partia Socialiste dhe lidershipi i saj. Pasi u unifikua beteja personale e Edi Ramës për bashkinë e Tiranës me kursin politik të PS-së, tashmë jemi në fazën e farsës, atje ku politikanët e karrierës në partinë më të madhe në opozitë janë angazhuar në një fazë të talljes me kryetarin e partisë. Janë shpikur kinezëri të tilla si “8 pika për 4 pyetje – njëlloj si kënga e dikurshme, kur merhumi sulmonte kapitalizmin), apo fraza të turpshme për aksione popullore në pisk të vapës, por që të gjitha janë të inkuadruara në sjelljen tallëse që po adaptohet ndaj Edi Ramës. Jemi në fazën kur përgjegjësitë tashmë po personalizohen dhe për Edi Ramën ka ardhur koha kur duhet të përgjigjet për rrëgjimin e partisë në Tiranë si dhe për identifikimin  frikshëm të opozitës si një strukturë radikale. Me përpjekje që qysh në fillim parashikohet se janë të ndërtuara mbi procedura të gabuara, njerëzit pranë Ramës kanë ngritur një skemë që më shumë e ka përqeshur humbjen e pritshme të kryetarit, sesa e ka mbështetur në atë që e quan “betejë ligjore ende e papërfunduar”. Tallja e fundit ishte ajo e djeshmja e Fatmir Xhafës, i cili pasi shpiku të ashtuquajturat ankesa në Gjykatën Kushtetuese e në Komisionin e Venecias, konsumoi një tjetër sulm ndaj Kolegjit Zgjedhor, duke u përpjekur që të largojë vëmendjen e socialistëve nga sporti i fundit më i dëshiruar i atyre, ai i shpikjes së grupeve armiqësore. Dhe Fatmir Xhafa është në krye të listës së armiqve potencialë, pasi në Asamblenë e PS-së përshpëritet thuajse edhe hapur se Xhafa ka luajtur me dy porta dhe ka kontribuar për humbjen procedurale të zgjedhjeve (siç thonë ata), për shkak se ai ka pasur interes dhe njëfarë detyrimi, meqenëse mazhoranca parlamentare i votoi për në Gjykatën e Lartë kunatin e tij. Tashmë jepet thuajse i kryer fakti se për Xhafën po afron një internim politik për këtë shkak e se ai s’do të jetë më as në listën e kandidatëve për deputetë për në vitin 2013. Shndërrimi i procesit në farsë kompletohet me njoftimet veç mediatike se pyetjet e PS-së drejtuar Komisionit të Venecias tashmë i janë dorëzuar sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës. E vërteta është se sekretari i përgjithshëm i KE-së është sovran që t’i drejtohet Komisionit të Venecias dhe merret vesh se interpretimi i tyre s’do të ketë asnjë ndikim tek verdikti i 8 majit, por gjithashtu nuk thuhet nëse pyetjet e sekretarit do të jenë fiks kopjet e pyetjeve kineze që ka shkruar Gramoz Ruçi. Afërmendsh, fokusi i KE-së do jetë ai i fletëve të gabuara, por kurrsesi pyetjet dacibao të Edi Ramës s’mund të cënojnë sovranitetin e sekretarit të KE-së lidhur me këtë çështje.


Me Ramën tashmë po tallen edhe të vetët dhe në piskun e vapës do të shohim njëkohësisht edhe tharjen e “aksionit popullor” një proces që PS-së s’i pati sukses në 10 gradë, e jo më në 40 gradë. Tashmë në selinë e PS-së po fërkojnë duart me shprehjen e vjetër toske e komuniste në të njëjtën kohë, se me gusht bashkë ikën edhe vapa, pasi për shtatorin, qysh tani është prenotuar përfundimi i farsës dhe kthimi në parlament me bishtin ndër shalë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›