Tiranë, motori vret në rrugë 72-vjeçarin
TIRANE - Një i moshuar, 72-vjeçar u përplas për vdekje nga një motor, teksa po kalonte nga njëra anë e rrugës, në anën tjetër te zona e “Bërrylit”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në zonën e quajtur “Bërryli” në Tiranë, në një kohë kur trafiku ishte shumë i rënduar në orët e mesditës. Por edhe pse në të tilla rrethana, personi që udhëtonte me motor, i cili ende nuk është identifikuar, sapo ka përplasur kalimtarin është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke kaluar mes makinave të ndaluara në trafik. Autori i aksidentit ende nuk është identifikuar nga policia. Sapo kanë marrë njoftimin, forcat e Rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për t’i ardhur në ndihmë personit të aksidentuar, i cili u identifikua më pas në spital. Nexhmedin Dynjaja, 72-vjeç edhe pse u dërgua menjëherë në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza”, nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra nga përplasja e fortë dhe ndërroi jetë brenda pak minutash. Policia filloi hetimet për të identifikuar motoristin që shkaktoi aksidentin e rëndë. e.d