E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon Rehn: Zgjedhjet, kusht për integrimin në BE

 

Aristir Lumezi

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Olli Rehn priti dje në Bruksel, Kryetarin e LSI, Ilir Meta. Gjatë një takimi që zgjati rreth 45 minuta, kreu i LSI-së i paraqiti Komisionerit Rehn shqetësimet mbi problemet që ka Kodi i ri Zgjedhor, mungesën e garancive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si dhe monopolizimin që kanë bërë dy partitë e vjetra PD dhe PS, për administrimin e procesit zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR, si dhe me dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare për zgjedhjet. Nga ana e tij, Rehn i përcaktoi zgjedhjet e ardhshme si kushtin kryesor të integrimit të Shqipërisë në BE. Takimi i kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, me komisionarin e Bashkimit Evropian vjen në një kohë kur kjo parti ka nisur aksionin e saj politik për të paralizuar manipulimin e votës në zgjedhjet e ardhshme nga dy partitë kryesore, të cilat miratuan me votat e tyre pak ditë më parë Kodin e ri Zgjedhor. LSI ka nisur kështu një fazë të re në mbrojtje të votës së shqiptarëve, pas grevës së urisë që deputetët e saj ndërmorën për nëntë ditë rresht në sallën e seancave plenare. Ajo do të mobilizojë parlamentarë, përfaqësues të lartë të politikës evropiane dhe botërore, si vëzhgues në zgjedhjet e qershorit 2009, për të paralizuar çdo përpjekje devijimi të votës së partive të tjera nga dy partitë që përgatitën dhe miratuan Kodin e ri Zgjedhor. Ndërkaq, po dje gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryetari i LSI-së zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Evropiane, Philip Cordery. Përfaqësuesi më i lartë i socialistëve evropianë Cordery e ftoi kryetarin e LSI-së në Këshillin e PSE-së, që do të mbahet në Madrid në fillim të dhjetorit. Por Philip Cordery ka qenë mjaft i interesuar të informohet rreth zhvillimeve në politikën shqiptare e veçanërisht rreth të majtës shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i PSE, tha gjatë takimit se "jemi të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen përmes një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet dhe garancitë ndërkombëtare për zgjedhjet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›