E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau eprorin dhe kolegun kur ishte ushtar, ekstradohet pas 20 vitesh

Interpol Tirana ekstradoi dje në Rinas Adhurim Sallmonin, për masakrën e ndodhur në vitin 1990

Etja për tu arratisur nga Shqipëria në mars të vitit 1990, e çoi Adhurim Sallmonin dhe shokun e tij Edmond Gjoka drejt një krimi të tmerrshëm, vrasjen e eprorit të tij dhe të një ushtari tjetër. Dje Sallmoni u ekstradua në Rinas, afro 20 vite pas krimit që kishte kryer në vitin 1990. Ai, për 20 vite me radhë ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës, derisa një vit më parë autoritetet gjermane e evidentuan dhe i hodhën prangat në bazë të informacionit që kishin marrë nga Interpol Tirana. Njoftimi i djeshëm i policisë njoftonte mbërritjen në Rinas të Sallmonit nga Gjermania, të cilin gjykata shqiptare e ka dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa sipas një tjetër njoftimi të policisë së Qarkut të Durrësit, nisur nga arrestimi pas afro 20 vitesh, në bazë të legjislacionit shqiptar, Sallmoni pritet të bëjë vetëm 13 vite burg. “Më datën 13.08.2009, ne oren 12:10, nga ZQK Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Mynihu - Gjermani drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Adhurim Sallmoni, i biri i Rexhep dhe Guge, lindur më 24.06.1966, në Durrës - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.26, datë 03.08.1994, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të ‘vrasjes për motive të dobëta, tentativë vrasje, shpërdorimit të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak’, parashikuar nga nenet 84, 147/2, dhe 146 të Kodit Penal të Vjetër të Republikës së Shqipërisë”, njoftonte dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Ngjarja
Në mbrëmjen e 25 tetorit të vitit 1990 shtetasi Adhurim Sallmoni në bashkëpunim me Edmond Gjokën, asokohe 22 vjeçar duke kryer shërbimin ushtarak kanë rrëmbyer motoskafin e kufirit në Durrës, dhe kanë realizuar vrasjen e nënoficerit Ilir Gjyrdeti, ushtar Arben Legisi dhe kane tentuar te vrasin ushtar Ilir Goxhomanin. Ngjarje e cila tronditi asokohe forcat ushtarake shqiptare. Etja për liri e dy vrasësve kushtoi jetën e dy njerëzve të pafajshëm që ishin në krye të detyrës. Por duket se koha kur Sallmoni ka kryer krimin e ka ndihmuar atë për të qenë jashtë vëmendjes së forcave të rendit për vite me radhë. Proceset demokratike dhe shkalla e lartë e kriminalitetit që ato sollën duket se e shmangën vëmendjen nga kjo ngjarje e rëndë e ndodhur në vitin 1990. Sot, pas afro 20 vitesh si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Viesbaden u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit Adhurim Sallmoni.
Itali
I ekstraduari i djeshëm, Adhurim Sallmoni ka pasur një tjetër precedent kriminal në vitin 2001 në Itali, ku së bashku me një shtetas tjetër italian u akuzuan se kishin grabitur magazinën e një biznesmeni të fuqishëm italian. Mësohet se Sallmoni së bashku me një mikun e vet italian kanë bërë disa muaj burg në Itali, pasi përfshirja e tyre direkte në këtë vjedhje nuk u vërtetua kurrë. Gjithsesi Sallmoni ndenji rreth shtatë muaj në burg në Itali deri sa gjykata rrëzoi akuzat për ta, ndërsa duket se arrestimi i tij në Itali nuk i është komunikuar autoriteteve shqiptare që e kishin shpallur në kërkim që në vitin 1990.

Aksident i rëndë në Lezhë, humbin jetën 2 persona

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e djeshme në autostradën Lezhë-Shkodër pranë kryqëzimit të Gjadrit. Sipas të dhënave të policisë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, mësohet se një kamion me targat e Shkodrës SH 8256D, është përplasur me një makinë tip BMV e për pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, drejtuesi i BMV-së dhe një pasagjer brenda tij. Policia ka shoqëruar drejtuesin e kamionit në komisariat.. Aksidentet në rrugët shqiptare duket se janë kthyer në një fenomen normal të përditshëm. Vetëm dy ditë më parë një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Durrës-Kavajë, në Qerret, kur një autobot uji është përplasur me një automjet tip “Golf” me targa greke, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjes e një tjetri. Viktimat, sipas policisë, ndodheshin në automjetin tip “Golf” me targa të huaja. Tre viktimat ishin emigrantë të kthyer nga Greqia, duket se rrugët jashtë standardeve të Shqipërisë janë kthyer në kurth për ta. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertët e aksidenteve për të zbardhur rrethanat, ndërsa bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga makina. Burime nga policia thanë se në makinën me targa të huaja ndodheshin katër persona, ku vetëm njëri prej tyre kishte shenja jete dhe pas ndërhyrjes së parë mjekësore mundi të fliste. Ai quhej Fatmir Alliu dhe ishte nga Librazhdi. Ndërkohë që sipas tij, viktimat janë Çelik Dashi, 21 vjeç, Fajtona Alliu, 27 vjeçe dhe një tjetër grua rreth 50 vjeçe, emri i së cilës ende nuk është bërë i ditur. Policia po punon për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti tragjik, ndërsa ka shoqëruar drejtuesin e autobotit deri në sqarimin e shkaqeve të ngjarjes rrugore.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›