E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramos e nis me fitore

Trajneri i ri i Real Madridit, Juande Ramos, nuk ka pasur se si ta fillojë më mirë punën e tij si trajner i Mbretërve, pasi që Los Blancos kanë shënuar fitore bindëse kundër Zenit St Petersburgut në Santiago Bernabeu. Shkarkimi i Bernd Schuster dhe angazhimi i trajnerit të ri, siç duket nuk ka ndikuar aspak te lojtarët madrilenë të cilët në xhiron e fundit të Grupit H e kanë mposhtur Zenitin me rezultat 3-0. Los Merengues e hapën serinë e golave me anë të kapitenit Raul (25'), i cili sërish e kaloi Filippo Inzaghin, si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në garat e UEFA-s për klube dhe vazhdon ta risë diferencën si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën Kampionëve. Golin e dytë për vendasit e shënoi holandezi Arjen Robben(50'), ndërsa ishte sërish kapiteni Raul lojtari që shënoi golin e tretë dhe të fundit në ndeshje (57'). Takimi i tjetër i zhvilluar ndërmjet Juventusit dhe BATE Borisovit në Stadio Olimpico të Torinos përfundoi pa gola. Rastin më të mirë në ndeshje e pati i riu Sebastian Giovinco, i cili dështoi të shënonte nga pika e bardhë (53'). Është hera e dytë që Juventus dështon të shënojë fitore kundër BATE-s, edhe pse bardhezinjtë kohë më parë e kanë siguruar kualifikimin në fazën 'knockout' të Ligës së Kampionëve. Pavarësisht barazimit, Zonja e Vjetër kryeson Grupin H, ndërsa Reali kualifikohet nga vendi i dytë. Zenit St Petersburg do të luajë në Kupën UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›