E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ranieri zotohet për të paditur klubin e Juves

Torino - Klaudio Ranieri nuk ka ndërmend ta mbyllë këtu historinë e tij me skuadrën e Juventusit. Tekniku i shkarkuar ditën e hënë nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” zotohet se do ta çojë në gjykatë çështjen, pasi sipas kontratës, klubi torinez duhet të shlyejë prishjen e saj.

Ranieri ndjehet i zhgënjyer edhe me mënyrën e shkarkimit, duke deklaruar se diçka e tillë është jashtë çdo lloj etike të Juventusit.

“Blank, drejtuesi i Juves, ka shkelur fjalët e tij. Burrat e vërtetë nuk sillen në këtë mënyrë. Dhe mbi të gjitha, kjo nuk përkon me traditën e Juventusit”, deklaron Ranieri për “La Repubblica”.

Ish-trajneri i Juventusit do ta padisë klubin torinez, pasi kontrata mes tyre përfundonte në muajin qershor të vitit 2010. Në kontratë thuhej se, nëse klubi e shkarkon trajnerin, atëherë është i detyruar të paguajë 1.5 milionë euro.

Në anën tjetër, Juventusi është zotuar se do të paguajë vetëm rrogën e zakonshme të Ranierit deri sa të përfundojë kontrata, ose deri sa ai të gjejë një ekip tjetër për të drejtuar.

Drejtimin e “Zonjës së Vjetër” në këto dy javë të mbetura nga përfundimi i kampionatit e ka marrë i mirënjohuri Çiro Ferrara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›