Rritet çmimi i arit në bursën ndërkombëtare, reflektohet edhe në tregun vendas
Investitorët ndërkombëtarë po drejtohen drejt arit, duke marrë parasysh rrezikun në rritje të krizës së borxheve në vendet e eurozonës, si dhe kapërcimin në nivele të larta të borxhit publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shoqëruar kjo me presionet inflacioniste në ekonominë globale. Gjatë javës që shkoi, vlera e arit në bursë shënoi nivele rekord duke arritur në 1 mijë e 489 dollarë për onz, ndërsa rritje me 38 për qind shënoi edhe vlera e argjendit, e cila kuotohet në 42 dollarë për onz, rritja më e madhe kjo që prej vitit 1980. Rritja e arit në bursë vjen në një kohë kur Irlanda dhe Greqia po përballen me vështirësi në shlyerjen e borxhit, ndërsa Portugalia po përballet me një krizë të ngjashme. Ekspertët konsiderojnë se vlera e arit në bursë mund të vijojë të rritet muajt e ardhshëm dhe sipas parashikimeve mund të arrijë në 1 mijë e 750 dollarë për onz, por gjithsesi kjo do të varet edhe nga ecuria e dollarit në tregun ndërkombëtar. Rritja e arit në bursë është reflektuar edhe në tregun e brendshëm, ku një gram ar është tregtuar 4300 lekë nga 4000 që tregtohej pak muaj më parë. Bëhet fjalë për arin 14 karatësh.