Raportet diplomatike Prishtinë - Podgoricë
Prishtina dhe Podgorica do të ngrenë nivelin e marrëdhënieve diplomatike gjatë javëve të ardhshme, tha zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi. Mali i Zi ka njohur Kosovën në tetor të vitit të kaluar, por ka ngecje në vendosjen e raporteve diplomatike. Prishtina zyrtare nuk pret nga Podgorica rishqyrtimin e pozicionit të Malit të Zi ndaj pavarësisë së Kosovës, pavarësisht zhvillimeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kryeministri malazez, Millo Gjukanoviq, ndonëse ka shprehur dyshimet e thella se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë ndonjë interpretim negativ sa i përket pavarësisë së Kosovës, ka thënë se autoritetet malazeze mund ta rishqyrtojnë pozicionin ndaj pavarësisë së Kosovës, vetëm nëse kjo gjykatë interpreton shpalljen e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Këto komente, Gjukanoviq i ka bërë për mediat në gjuhën serbe të Beogradit. Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk presin kurrfarë përkeqësimi të raporteve me Podgoricën. Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se javët e ardhshme, Prishtina dhe Podgorica do të vendosin marrëdhënie diplomatike mes dy shteteve.
...javët e ardhshme ne do të kemi edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi dhe thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve bilaterale me këtë shtet. “Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Ne e kemi mirëpritur këtë vendim, i cili ka qenë shumë i vështirë në një formë apo tjetër për Malin e Zi. Ne shumë shpejt do të vendosim edhe marrëdhënie diplomatike”. “Kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e kërkesave nga Prishtina dhe Podgorica dhe më e rëndësishmja është se javët e ardhshme ne do të kemi edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi dhe thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve bilaterale me këtë shtet”, tha Krasniqi. Në anën tjetër, opozita inkurajon Prishtinën dhe Podgoricën që të shpejtojnë me vendosjen e raporteve diplomatike në nivel ambasadash dhe të mos lejojnë çfarëdo përkeqësimi të marrëdhënieve ndërfqinjësore. Ibrahim Gashi, nënkryetar i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, thotë se Kosova duhet t’u kushtojë më shumë kujdes raporteve me Maqedoninë dhe Malin e Zi. “Pala kosovare duhet të dëshmojë gatishmërinë e menjëhershme për të filluar me funksionalizimin e shërbimit diplomatik me shtetin e Malit të Zi, zyrtarizimin e marrëdhënieve bilaterale përmes vendosjes së misioneve diplomatike në baza reciproke”. “Në veçanti me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, në momentin kur ato t’i kenë tejkaluar problemet e brendshme për t’i vendosur misionet diplomatike në nivelin më të lartë, pala kosovare duhet të jetë po atë ditë e gatshme”, thotë Gashi. Lidhur me procesin në Gjykatën e Hagës, ku, me kërkesë të Serbisë, pritet që vitin e ardhshëm të nxirret një interpretim se sa ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, Gashi thotë se edhe Gjukanoviq dhe të tjerët e dinë fare mirë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të pozicionohet me interpretim kundër pavarësisë së Kosovës, pasi që deklarimi i pavarësisë ishte një veprim i drejtë. Po ashtu, edhe Gjukanoviq u ka thënë mediave serbe se nuk pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me epilog negativ ndaj pavarësisë së Kosovës. “Qysh në vitin 1999, në kohën e nxjerrjes së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne e kemi pasur të qartë se Serbia i ka humbur të gjitha kompetencat shtetërore në Kosovë", ka deklaruar Gjukanoviq. Ai, po ashtu, ka pohuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë vendim i ngutshëm i Podgoricës.
...