Hamdi Salihi: Duhet një super-Vllazni me Rapidin e Vjenës
Duke marrë të mirëqenë kualifikimin e Vllaznisë për në turin e dytë të Ligës së Evropës, Hamdi Salihi pohon se ish-skuadra e tij duhet të mendojë tashmë për Rapoidin e Vjenës. Austriakët do të jenë kunërshtari i radhës në këtë kompeticion. Salihi, i cili ka dalë nga shkolla shkodrane e futbollit njeh mirë edhe Rapidin duke qenë se luan prej dy sezonesh në Austri. "Sipas meje do të duhet një super-Vllazni që të mundë Rapidin. Kjo për faktin se ka diferenca të mëdha mes këtyre skuadrash. Madje nuk do ta ekzagjeroja po të thosha se do të duhet skuadra më e mirë shqiptare për të eliminuar Rapidin. Unë kam pasur rastin të përballem disa herë gjet këtyre viteve. Kam arritur edhe fitore ndaj tyre kur i kemi kapur në ditë të këqija. Uroj që kur të ndeshet me Vllazninë time të jenë në ditë negative", ka pohuar në linjë telefonike për gazetën "Panorama" sulmuesi shkodran i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Sulmuesi arriti të shënojë 14 gola gjatë sezonit të fundit te Riedi dhe ka qenë thuajse gjithnjë në objektivin e merkatos të disa skuadrave në Evropë. Por austriakët e SV Ried kanë kërkuar shuma të mëdha për kartonin e sulmuesit shqiptar.