Raportet e ODIHR: Qeveria na shpërfill, ka probleme me kartat e presion ndaj administratësNga TemaShqipëria voton sot për të zgjedhur drejtuesit e saj të rinj. Një parlament i ri do të formohet pas këtij procesi, ndërsa ata që do të vulosin standarde
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Raportet e ODIHR: Qeveria na shpërfill, ka probleme me kartat e presion ndaj administratësNga TemaShqipëria voton sot për të zgjedhur drejtuesit e saj të rinj. Një parlament i ri do të formohet pas këtij procesi, ndërsa ata që do të vulosin standardet, do të jenë të dërguarit e OSBE dhe të ODIHR në vendin tonë.
Ata kanë nisur punën e tyre para më shumë se një muaji, edhe pse drejtuesja e vëzhguesve u kontestua hapur nga qeveria.
Në tri raportet që kanë përgatitur vëzhguesit e OSBE/ODIHR, theksohen probleme të mëdha që kanë shoqëruar procesin, e që ndoshta mund të vënë në dyshim vlerësimin për standardet.
Që në raportin e parë, Misioni Vëzhgues i ODIHR theksoi se ata ishin shpërfillur nga zyrtarët e lartë të mazhorancës, duke lënë të kuptohet se qeveria nuk e ka me sy të mirë vlerësimin e tyre.
“Zyra e Misionit Vëzhgues (MVZ) së OSBE/ODIHR u hap në Tiranë më 8 maj 2009. Shefja e Misionit është takuar me anëtarët e KQZ, Zëvendësministrin e Brendshëm, kryetarët e disa partive parlamentare (deri tani PD ka pranuar kontakte në nivel pune) dhe disa partive jo-parlamentare, Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe Ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse në OSBE. MVZ e OSBE/ODIHR ka takuar gjithashtu përfaqësues të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ka mbajtur kontakte të rregullta me KQZ, partitë politike, shoqërinë civile dhe medien. Vëzhguesit afatgjatë po takohen me aktorë të ndryshëm për zgjedhjet në zonat përkatëse”, - thuhej në raportin e parë të ODIHR, që daton për koincidencë më 26 maj. Pikërisht në këtë datë, 13 vjet më parë, mazhoranca aktuale ishte kryqëzuar, se kishte shkelur standardet zgjedhore e kishte lejuar manipulimet. Drejtuesja aktuale e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ishte hartuese e raportit përfundimtar të asaj kohe. Kryeministri Berisha, në atë kohë president, nuk u pajtua me qëndrimin e saj e për këtë arsye kundërshtoi ashpër emërimin e saj në krye të misionit vëzhgues për këto zgjedhje.
Ndërkohë, raporti i dytë për zgjedhjet, përgatitur nga misioni i ODIHR ngriti një tjetër shqetësim të rëndë. Ministria e Brendshme, e vënë në qendër të akuzave nga opozita se po manipulonte me shifrat e personave që po pajiseshin me mjete identifikimi, kishte dërguar dhe te ky mision të dhëna të pasakta.
“Më 28 maj, Ministria e Brendshme i dërgoi PS, Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe
Misionit të OSBE/ODIHR një bazë të dhënash me të dhëna të pasakta (për periudhën deri më 26 maj) për qytetarët që nuk janë të pajisur me pasaporta. Kjo bëri që mes qeverisë dhe PS të lindte një mosmarrëveshje. Ministria e Brendshme ia vuri fajin një gabimi teknik, ndërsa PS aludoi se ishin bërë manipulime të qëllimshme të bazës së të dhënave, që mund të ndikonin rezultatet e zgjedhjeve. Më 1 qershor, PS deklaroi se për këtë çështje do të bënte kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme”, - thuhej në raportin e dytë.
Raporti i tretë i ODIHR vulosi një shqetësim të madh tjetër, atë të përdorimit të fondeve publike për fushatë dhe presionit ndaj punonjësve të këtij sektori.
“Qeveria ka vazhduar të përdorë aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës. Në disa raste të konfirmuara nga vëzhguesit afatgjatë të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, shkollat u mbyllën që nxënësit të merrnin pjesë në këto aktivitete. MVZ të OSBE/ODIHR vazhdojnë t’i vijnë aludime se mbi punonjësit e sektorit publik po ushtrohet presion”, - thuhet në raportin e tretë.
Një ditë pas zgjedhjes, rreth drekës, vëzhguesit e ODIHR do të dalin në një konferencë për shtyp, ku do lexojnë deklaratën e tyre e do japin të dhënat e mbledhura për procesin.
Që në krye të herës të gjithë do presin, ose fjalinë e përhershme: Zgjedhjet ishin një hap përpara, por nuk plotësuan standardet, ose fjalinë magjike: Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, sipas të gjitha standardeve të një vendi demokratik.
Me këto vlerësime paraprake, shto këtu dhe numrin e madh të personave pa dokument identifikimi, për të cilët nuk dihet ende, nëse janë votues që ndodhen në Shqipëri, duket se shanset janë të ulëta. Por kryeministri, Sali Berisha, mjeshtër i lidhjeve dhe lobingut, ka gjetur një mënyrë për të zbutur ndoshta tonet e deklaratës përfundimtare.
Në krye të misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE në vendin tonë është Wolfgang Grossruck, një mbështetës i hapur i zotit Berisha.
Raporti i parë
26 maj 2009
- Skena politike mbetet tepër e polarizuar mes Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS). Megjithëse fushata zyrtare fillon më 29 maj, disa parti kanë filluar fushatën aktive, çka nuk ndalohet nga Kodi Zgjedhor
- Çështja e Kartave të Identitetit është çështja më e debatueshme e procesit zgjedhor deri tani. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri tani kanë aplikuar për Karta Identiteti rreth 354.000 zgjedhës nga 730.000 që llogaritet të jetë numri i përgjithshëm i zgjedhësve pa pasaportë të vlefshme. Megjithëse qeveria ka besim se do të arrijë të pajisë me karta të gjithë zgjedhësit pa pasaportë, personat me të cilët ka biseduar Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR, sidomos ata nga radhët e opozitës, kanë vënë në dyshim faktin nëse kjo do të mund të arrihet brenda kohës së kufizuar që ka mbetur. Disa parti kanë ngritur dyshime se aplikimet po trajtohen në mënyrë selektive duke krijuar disavantazh për mbështetësit e tyre.
- Shqipëria ka një numër të madh mediesh që shihen si pluraliste, por jo të pavarura nga ndikimet politike. Kodi Zgjedhor përmban rregulla të hollësishme për paraqitjen mediatike të fushatës, për shpërndarjen e kohës së transmetimeve falas në radion dhe televizionin publik dhe për reklamat me pagesë.
Raporti i dytë
8 qershor 2009
- Periudha e fushatës zyrtare filloi më 28 maj dhe veprimtaritë e fushatës kanë filluar të zhvillohen gjatë periudhës së raportimit. Situata e fushatës ka qenë përgjithësisht e qetë e paqësore, me vetëm disa incidente të izoluara. Gjatë saj ka pasur shpesh përdorim të akuzave e fjalëve të ashpra.
- Përpjekjet për të pajisur çdo qytetar me karta identiteti vazhdojnë. Që nga 30 maji, u lejohet aplikimi vetëm qytetarëve pa pasaportë dhe që nuk do të mund të votonin pa karta identiteti. Sipas Ministrisë së Brendshme (MB), deri më 31 maj u bënë 1 milion e 170 mijë aplikime. Opozita vazhdon të aludojë se procesi nuk po menaxhohet siç duhet dhe më 1 qershor deklaroi se do të kryejë kallëzim penal kundër zyrtarëve të lartë të MB për shkak të asaj që Partia Socialiste (PS) pretendon se ishte manipulim i qëllimshëm i të dhënave.
- Dy javë para fillimit të periudhës së fushatës zyrtare, të gjitha kanalet televizive transmetuan reklama nga subjekte të ndryshme politike, në kundërshtim me ligjin. Monitorimi i medieve nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR tregoi se gjatë kësaj periudhe, gjatë lajmeve dhe programeve me tema nga aktualiteti, mediet e monitoruara kishin bërë një pasqyrim të njëanshëm dhe jo të balancuar të subjekteve kryesore politike
Raporti i tretë
18 qershor 2009
- Veprimtaritë e fushatës zgjedhore kanë vazhduar të zhvillohen gjatë periudhës së raportimit. Megjithëse situata ka vazhduar të jetë përgjithësisht e qetë, në disa zona ka pasur rritje të tensionit. Mosmarrëveshje ka pasur në mënyrë të veçantë për vendosjen e posterave dhe parullave, si dhe çadrave e tendave të fushatës. Një aktivist i Partisë Demokratike (PD) u vra nga një aktivist i Partisë Socialiste (PS) më 12 qershor gjatë një debati për vendosjen e posterave; të dy krahët bënë thirrje për qetësi.
- Lista Përfundimtare e Zgjedhësve përmban 3,084,067 qytetarë. PS e ka kontestuar publikisht saktësinë e Listës Përfundimtare të Zgjedhësve, duke thënë se në të ka gabime të llojeve të ndryshme.
- Procesi i pajisjes së çdo votuesi pa pasaportë të vlefshme me kartë identiteti vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike. Sipas informacionit të Ministrisë së Brendshme (MB), deri më 12 qershor u bënë 1.33 milionë aplikime dhe u morën nga qytetarët gati 900,000 karta identiteti. MVZ të OSBE/ODIHR vazhdojnë t’i raportohen probleme teknike dhe organizative. PS pretendon se procesi i aplikimit po bëhet në mënyrë selektive, si dhe për pagesa për të marrë kartat e identitetit, në dëm të mbështetësve të saj.
- Monitorimi i medieve nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR ka treguar se dy nga pesë kanalet e monitoruara u kushtuan PD dhe PS sasi pak a shumë të barabarta kohe televizive. Megjithatë, këta operatorë, bashkë me të tjerët vazhduan të tregojnë anshmëri në aspektin e cilësisë (tonit) të pasqyrimit.