Depozitat e naftës, largohen nga porti i Durrësit drejt Porto-Romanos
Nis përpunimi i anijeve në Porto-Romano
Mbërrin në portin e ri një anije gjeorgjiane
Duket se më në fund 15 depozitat gjigante me një sasi prej 2.5 milionë litrash secila, do të largohen nga porti detar i Durrësit drejt portit më të ri të Porto-Romanos, duke sistemuar atje gjithë sasinë e nevojshme edhe të gazit të lëngshëm. Koncesionari i Porto-Romanos e ka siguruar lejen e shfrytëzimit dhe ka nisur punën për përpunimin e anijeve me karburante dhe gaz të lëngshëm.
Dy ditë më parë mbërriti në portin e ri në Porto-Romano anija e parë me gaz, e cila vazhdon të përpunohet normalisht. Përpunimi i saj ka qenë edhe testi për vënien në punë të kalatës së portit të impiantit të përpunimit, i cili përfshin tubacionet dhe cisternat gjigante të gazit.
Pasi është marrë leja e shfrytëzimit dhe “ok” nga qeveria, në Porto-Romano ka mbërritur anija e parë cisternë me 2000 ton gaz të lëngshëm në depozitat e saj. Ajo është anija gjeorgjiane “Sea Gas General”. Përpunimi i kësaj anije ishte edhe testi i parë për investimin gjigant që ka nisur që nga viti 2003 nga ana e koncesionarit të Porto-Romanos, kurse anija ishte nisur nga porti gjeorgjian i Batumit. Deri dje në mesditë puna për përpunimin e anijes ka shkuar normalisht dhe nuk janë konstatuar rrjedhje gazi. Për të mbërritur nga kalata deri në depozitë, gazi përshkon një rrugë prej 1.5 km, aq sa është edhe gjatësia e tubacioneve. Ky investim largon një herë e përgjithmonë gazin e lëngshëm nga kalatat e porteve tona, si të Durrësit ashtu dhe të Vlorës, pasi ky proces do të realizohet vetëm në Porto-Romano, 8 km larg qytetit të Durrësit.
Fillimi i punës në këtë port nuk është bërë publik për shkak të rezervave që kanë pasur inxhinierët gjatë provës së parë, e cila ka shënuar edhe kolaudimin e impiantit të përpunimit të gazit të lëngshëm. Ndërkohë pas përfundimit të disa punimeve të tjera po atje, do të nisë edhe përpunimi i anijeve me karburante. Ky proces do të nisë pas 1 muaji. Tashmë do të mundësohet transferimi i depozitave gjigante të karburanteve nga porti i Durrësit, të cilat gjithsesi ishin një rrezik serioz për jetën e banorëve të qytetit, pasi në vijë ajrore ato janë vetëm 200 m larg zonave të banuara.