E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sulmon Gjikën: Kryebashkiak fanatik

Kryeministri Berisha ka zbritur dje në Vlorë për të tretën herë në më pak se dy muaj. Nën moton "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri ka gjetur dje në fshatrat e rrethit të Vlorës tre shirita inaugurimesh për të prerë. Ai ka shkuar të paktën tetë herë në këtë rreth, pa marrë parasysh një pjesë të pushimeve verore që i kaloi në Dhërmi. Kreu i mazhorancës, i cili në të gjitha rastet ka numëruar sukseset e qeverisë së tij, ka nisur edhe një fushatë sulmesh ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas debateve për rrugën Transballkanike të derivuar nga vizita e datës 18 tetor në Vlorë e kryeministrit dje, ai ka thumbuar përsëri Gjikën, të cilin e ka cilësuar atë si një njeri që di të mendojë mirë vetëm për veten. Ndërsa ka shtuar se vonesat në përfundimin e punimeve të rrugës Transballkanike janë shkaktuar pikërisht nga bashkia dhe sipas Berishës këto janë bërë me dashje. "Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, po tregohet fanatik, sepse për rëndësinë e madhe që kjo vepër ka për qytetin e tij ai duhet të kishte treguar vendosmëri për ta përfunduar atë, por shihet qartë që zotit Gjika nuk i bie në mendje për qytetin, ndryshe si mund të shpjegohet fakti që një rrugë kaq jetike, të lihet pas dore", tha Berisha. Ai shtoi se kryebashkiaku i Vlorës dëshmon se nuk është në gjendje të zgjidhë as problemet më elementare, se po të kishte qenë një kryetar bashkie që interesohej për qytetin, do të kishte përcaktuar një afat për këtë rrugë. "Puna e tij tregon për një qëndrim mjaft të rreptë politik të zotit Gjika. Megjithatë, qytetarët e Vlorës nuk pajtohen me indiferencën e tij. Kjo rrugë është shumë e rëndësishme dhe jetike për Vlorën, prandaj unë ju siguroj se ajo do të bëhet", tha Berisha. Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës ka preferuar të mos u përgjigjej dje kauzave të Kryeministrit. Pritet që Gjika të dalë sot në një konferencë për shtyp për të reaguar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›