E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulqini: Berisha injoroi shqiptarët

Opozita ka reaguar sërish dje nëpërmjet deputetit Musa Ulqini në lidhje me mocionin për debat të zhvilluar një javë më parë me Kryeministrin Berisha për çështjen Fazliç. Të ndier të ofenduar nga qëndrimi i Kryeministrit, i cili nuk denjoi t‘u kthente asnjë përgjigje pyetjeve të bëra nga opozita, deputeti Ulqini tha dje në sallën e Kuvendit, se kreu i qeverisë nuk ka injoruar opozitën, por popullin shqiptar, mazhorancën dhe ndërkombëtarët. Duke u ndalur më konkretisht, Ulqini tha gjatë diskutimit të tij në Kuvend, se "opozita socialiste i kërkoi Kryeministrit, që në përgjigje të pyetjeve të formuluara prej saj të sqaronte opinionin e gjerë publik për marrëdhëniet e tij me Damir Fazliç, i cili prej kohësh është i shënjuar nga të gjitha anët, brenda dhe jashtë vendit, si një nga përfaqësuesit më në zë të krimit në rajonin e Evropës Juglindore". Sipas Ulqinit, emri i Fazliç është i pranishëm në disa prej ngjarjeve më tronditëse në rajonin tonë, që nga vrasja e ish-kryeministrit Xhinxhiç në Beograd e deri te tregtia e paligjshme e armëve në Bosnjë e Hercegovinë.

Pikërisht ky njeri me një background të tillë shokoi gjithë shqiptarët kur deklaroi se ai ishte një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit shqiptar, gjë që u konfirmua në këtë sallë edhe nga vetë Sali Berisha", tha Ulqini. Ndaj, shtoi Ulqini, opozita i kërkoi Kryeministrit Sali Berisha që të vinte këtu në sallën e këtij Parlamenti dhe të sqaronte qartësisht përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe opinionin e gjerë publik për të gjitha faktet, të dhënat, dokumentet, akuzat dhe pikëpyetjet për lidhjet e tij me Damir Fazliç. Ishte rasti, tha deputeti Ulqini, që Kryeministri të provonte përpara të gjithëve se ai kishte qenë serioz kur kishte deklaruar në këtë sallë ditën e votëbesimit të tij se, ai dhe qeveria e tij do ta vlerësonin lirinë e informimit të qytetarëve dhe transparencën në qeverisje si tregues kryesorë të një qeverisje të mirë dhe të luftës kundër korrupsionit. Por, thekson Ulqini, Sali Berisha nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. Ai zgjodhi të fliste tri orë në këtë sallë për gjëra që askush nuk ia kishte kërkuar dhe refuzoi të përgjigjej për atë për të cilën ishte thirrur në debat. Dhe kjo, sipas opozitës, është mungesë transparence dhe respekti për informimin e publikut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›