E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Të vegjlit po kërcënojnë, s‘kanë vendim politik për grevë urie

Partia Demokratike e cilëson kërcënim, vendimin e të vegjëlve për të hyrë në grevë urie. Duke iu përgjigjur deklaratave të kryetarëve të partive të vogla, të cilat demokratët i quajnë si informale, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka sqaruar dje se, deri në këto momente mungon një vendim politik i unifikuar i të vegjëlve, të cilët duan të protestojnë në mënyrën e grevës së urisë. "Jemi informuar vetëm nga media, për shkak se deri tani nuk ka një vendim politik për të hyrë në grevë urie. Duket qartë se të vegjlit po kërcënojnë përpara se kodi të bëhet faktik", u shpreh Patozi. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së ka shtuar se miratimi i kodit ka edhe një kapitull, pasi të dal nga komisioni zgjedhor, dhe për këtë partitë e vogla kanë gjithë kohën e duhur për të bërë ankimimet në komision. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije se nuk ka një vendim politikë nga partitë e vogla për të hyrë në grevë urie. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike duket qartë se do të vazhdojë bashkëpunimin me Partinë Socialiste për përpilimin final të kodit elektoral. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, kërkon ndershmëri dhe transparencë në këtë proces, duke u shprehur se "PD dhe PS duhet t‘u japin siguri forcave të vogla për një kod elektoral të barabartë". Kandidati për PD-në e Tiranës, shprehet pro një kodi elektoral, që nuk do të lërë jashtë loje asnjë individ për shkak të etjes së dy partive të mëdha për më shumë vende në Kuvend. Nga ana tjetër, partitë e vogla janë revoltuar keq, duke dhënë ultimatumin se do të hyjnë në grevë urie, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre. Sipas të vegjëlve, greva e urisë pritet të zhvillohet në sallën e Kuvendit, për të ndaluar PD-në dhe PS-në që të miratojnë një Kod Zgjedhor që favorizon dy partitë e mëdha dhe shkatërron partitë e vogla. Partitë e vogla kundërshtojnë me forcë formulën e KQZ-së dhe kërkojnë që të rishikohet përbërja e komisioneve zgjedhore. Një ditë më parë, gjatë një takimi me kreun e shtetit, Bamir Topi, partitë e vogla, të majta dhe të djathta, kanë kërcënuar se do të futen në grevë urie në sallën e Kuvendit, nëse dy partitë e mëdha miratojnë Kodin Zgjedhor pa marrë parasysh propozimet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›