E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO me shef civil në Afganistan?

SHBA-ja dhe NATO-ja po e shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një funksioni të lartë civil në Afganistan, për t’u siguruar se aktivitetet jo-ushtarake për rindërtim do të përqendrohen në prioritetet kryesore, kanë theksuar sot disa zyrtarë ndërkombëtarë.

Ky vendim mund të kumtohet gjatë konferencës ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet më 28 janar në Londër, ku zyrtarët afganë dhe ata ndërkombëtarë do të shpalosin planet për të forcuar qeverinë e Afganistanit, në momentin kur SHBA-ja dhe aleatët e saj po dërgojnë 37 mijë ushtarë shtesë në Afganistan, për t’u përballur me kryengritjen e talebanëve.

Zyrtarët, të cilët deshën të mbesin anonim, theksuan se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ende nuk ka marrë vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

I dërguari kryesor i OKB-së në Afganistan, Kai Aide, së fundi është ankuar se disa ekipe provinciale për rindërtim, ekipe këto të përziera civilo-ushtarake, të cilat janë të angazhuara në projektet për rindërtim, nuk po respektojnë prioritetet e qeverisë afgane.

Zyrtarët e OKB-së kanë theksuar se kjo i ka kontribuar jo-efikasitetit në fushën e rindërtimit, përkundër miliarda dollarëve që janë shpenzuar për rindërtimin e Afganistanit, që nga invadimi amerikan në këtë shtet në vitin 2001.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›