Gates shton trysninë ndaj Pakistanit
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, tërhoqi sot vërejtjen se duhet të luftohen qendrat e militantëve talebanë, përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit, ngase në të kundërtën, që të dy këto shtete do të përjetojnë sulme të reja të përgjakshme.
Në artikullin e shkruar për gazetën pakistaneze The News, në fillim të vizitës së tij dyditore në Islamabad, Gates nënvizoi përkushtimin e SHBA-së për Pakistanin dhe lavdëroi ofensivën ushtarake, të iniciuar kundër talebanëve në Pakistan gjatë muajve të kaluar.
Por zyrtarët amerikanë kanë theksuar se SHBA-ja kërkon nga Pakistani që të vë në shënjestër edhe talebanët afganë, të cilët veprojnë brenda territorit pakistanez, si dhe militantët e lidhur me Al Qaidës, të cilët po shfrytëzojnë rajonet fisnore në veriperëndim të Pakistanit, për të ndërmarrë sulme në Afganistan.
“Është me rëndësi të kujtohet se talebanët në Pakistan operojnë në bashkëveprim me talebanët në Afganistan dhe me Al Qaidën, prandaj është e pamundur që këto grupe të ndahen”, shkroi Gates.
“Nëse historia është një indikacion, atëherë qendrat e sigurta të talebanëve në të dy anët e kufirit në periudhën afatgjate do të prodhojnë sulme edhe më të përgjakshme në që të dy vendet”, shtoi ai.