Raporti: Bursa nuk po funksionon, po rritet numri i pensioneve private
Tregu i kapitalit në Shqipëri vazhdon të jetë i pazhvilluar, ndërkohë qe e kundërta po ndodh me pensionet private, numri i të cilave po rritet vit pas viti. Duke listuar një sërë arsyesh që e ndikojnë zhvillimin e bursës, siç janë madhësia e biznesit, mënyra e funksionimit, trashëgimia kulturore dhe mentaliteti, apo kriza financiare ndërkombëtare, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare jep detaje më të zgjeruara në raportin vjetor të 2009-ës. Kështu, sipas AMF-së, viti i kaluar nuk shënoi ndonjë ngjarje të re për zhvillimin e aktivitetit të Bursë dhe listimi i shoqërive si dhe tregtimi i aksioneve në këtë formë mbetet një përpjekje potenciale. "Ndërkohë edhe interesimi i subjekteve të huaja për zhvillimin e aktivitetit të Bursës, apo për zhvillimin e aktivitetit të ndërmjetësimit janë tregues optimistë për zhvillimin e tregut të kapitalit", thuhet në raport. Autoriteti vë në dukje se në mungesë të një tregu të organizuar aksionet vazhdojnë të tregtohen mes aksionerëve, duke regjistruar ndryshimin e pronësisë në regjistrat e shoqërive aksionere. Nga ana tjetër, shoqëritë e dala nga privatizimi dhe të regjistruara në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve, transaksionet mes aksionerëve i regjistrojnë pranë kësaj qendre. "Tendenca e vërejtur në vitet e fundit është ajo e konsolidimit të pronësisë në shoqëritë e privatizuara dhe kjo ka rezultuar në uljen e numrit të transakiosneve në aksione për këto shoqëri vit për vit", thekson raporti i AMF.