Vasili, mjekëve të shkollave: Zgjohuni, ose lini vendin!
"Zgjohuni nga 'gjumi', nëse doni të punoni. Në të kundërt, lironi vendet." Këtë mesazh u dha dje mjekëve të shkollave, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një takimi që zhvilloi me ta. Ministri i shprehu hapur pakënaqësinë prej punës së tyre të deritanishme. Ai deklaroi se reforma në shëndetësi do të përfshijë dhe ata, duke bërë që të kontrollohen rreptë në aktivitetin e tyre shumë të rëndësishëm me rininë shkollore.
"Shërbimi shëndetësor në shkolla nuk është i njëjtë në të gjithë vendin. Disa zona rurale nuk kanë mjekë në shkolla dhe jo të gjithë mjekët e shkollave janë të njohur me rregulloren e këtij shërbimi. Mënyra e dërgimit dhe mbledhjes së informacionit nuk funksionon siç duhet, një pjesë e nxënësve nuk e dinë që kanë një mjek shkolle. Ndaj shërbimi shëndetësor në shkolla ka nevojë për riorganizim e reformë dhe ju duhet të zgjidhni nëse doni të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, ose të ikni nga ky pozicion", tha Vasili. Në bazë të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë është ngritur një grup pune ndërinstitucional, i cili do të rishikojë rregulloren ekzistuese për riorganizimin e këtij shërbimi. Ky grup do të përcaktojë paketën bazë të tij dhe çështjet kryesore që do të trajnohen në shkolla, duke bashkëpunuar ngushtë jo vetëm me nxënësit, por edhe me prindërit, mësuesit, psikologun dhe komunitetin për përcjelljen e mesazheve promocionale unike, nëpërmjet aktiviteteve apo formave të tjera. Ministria e Shëndetësisë do vendosë kritere dhe do rishohë detyrat e mjekut e infermierit të shkollave, për ngritjen e kapaciteteve që do të ofrojnë këtë shërbim si dhe do të bëjnë hartëzimin e këtyre burimeve njerëzore në të gjithë vendin. Deri më tani ky grup pune sapo ka mbaruar së përcaktuari të 12 çështjeve bazë të edukimit shëndetësor, të cilat janë përcaktuar të rëndësishëm për t'iu përcjellë fëmijëve në të gjithë Evropën.