E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë zhgënjejnë Kuzhenë në miqësore

 Jetmir HalilajTë rinjtë e grumbulluar nga trajneri Kuzhe në Turqi, kanë zhgënjyer në testin e tyre të parë. Përfaqësuesja shqiptare "B" është mundur dje me rezultatin 2-1 nga skuadra turke e Adanasporit, por më tepër se sa rezultati, trajnerit nuk i ka lënë një shije të mirë loja e skuadrës. Golin e vetëm për skuadrën kuqezi e ka realizuar mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila në minutën e 66-të, pas një gjuajtjeje potente nga jashtë zonës së rreptësisë. Pjesa e parëKuzhe ia besoi portën Moçës, ndërsa në mbrojtje ishin Lila, Pisha, Semina dhe Shoshi. Në mesfushë kroati kishte vendosur Muçën dhe Sefën para mbrojtjes dhe Muzakajn e Bakajn nga krahët për të furnizuar me topa dyshen sulmuese Vila dhe Bala. Skema nuk ka funksionuar si duhet dhe lojtarët shqiptarë kanë hasur shumë vështirësi në minutat e para. Sipas raportit të bërë nga zyra për shtyp e FSHF-së, lojtarët shqiptarë kanë hasur probleme në organizim dhe kanë lënë shumë hapësira mbrapa. Adanaspori ka vënë në vështirësi disa herë portierin Moçka, deri sa në minutën e 19-të ka realizuar golin e parë. Më kot u përpoq Kuzhe që të organizonte ekipin me thirrje nga pankina, pasi lojtarët edhe për shkak të mungesës së njohjes me njëri tjetrin, nuk kanë mundur të kombinojnë mirë mes tyre. Fraksioni i parë i ndeshjes është mbyllur me rezultatin 1-0, ndërkohë që tentativat e kuqezinjve për të shënuar në portën kundërshtare gjatë kësaj pjesë loje ishin sporadike dhe aspak bindëse. Pjesa e dytëNë pjesën e dytë trajneri Kuzhe ka vendosur të bëjë disa zëvendësime, por në minutën e 53-të, ekipi i drejtuar prej tij e ka parë vetën në dizavantazh 2-0, pasi turqit e Adanasporit realizuan edhe golin e dytë. Trajneri kroat ka bërë gjithsej 8 zëvendësime në pjesën e dytë, duke futur Hoxhën, Bicin, Veliajn, Roshin, Cikalleshin, Lilajn, Shkurtajn dhe Gocajn. Pas minutës së 60-të të ndeshjes, kuqezinjtë kanë arritur ta marrin veten dhe të jenë më kërkues në lojën e tyre. Aksionet sulmuese ishin më të qarta dhe lojtarit krijuan disa raste të pastra. Megjithatë, goli erdhi nga këmbët e mbrojtësit të Tiranës, Lilës, i cili pas një goditjeje potente nga jashtë zonës ka kapur në befasi portierin kundërshtar dhe e ka dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 81-të, Shkurtaj ka pasur një mundësi të artë për të shënuar, por topi i gjuajtur prej tij është devijuar fare pranë vijës fatale nga një prej mbrojtësve të ekipit kundërshtar. Në fund të takimit Kuzhe nuk ka dashur të bëjë kritika të drejtpërdrejta, por ka pohuar se të rinjtë që ai ka në dispozicion duhet të zbatojnë me përpikmëri direktivat që u jep në stërvitje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›