E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja miraton me debate tabelën e qarkut të Lezhës



Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi gjatë mbledhjes së djeshme tabelën e rezultateve përfundimtare të qarkut të Lezhës. Shqyrtimi i këtij vendimi kaloi përmes debatesh, pas shqetësimit të ngritur nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, lidhur me tabelat e KZAZ-së Nr. 37 të qarkut Lezhë, në të cilat nuk ishin përfshirë rezultatet e 11 qendrave të votimit. Sipas tij, shkak për këtë është bërë refuzimi i komisionerëve të PS-së në këtë Komision Zgjedhor Zonal për të zbatuar ligjin. Nga ana e tyre, përfaqësues të PS-së në KQZ theksuan se shkeljet e ligjit në rastin e qarkut të Fierit janë më të rënda se ato të Lezhës. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi që Komisioni të përfshijë me vendimmarrjen e tij 11 QV-të në tabelat e rezultateve të Lezhës. Nga ana e tij, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në përpjekje për të qetësuar situatën në sallën e komisionit, e quajti një garë jo të ndershme të diskutosh se cila palë e ka bërë gabimin më të madh.
Më pas demokratët vendosën të ankimojnë rezultatin e Lezhës. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së në qarkun e Lezhës, koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 4 mandate, ndërsa koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 3 mandate.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›