E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja ndan mandatet për Korçën, Gjirokastrën, Vlorën dhe Kukësin



KQZ-ja miratoi dje me votë unanime vendimet për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për qarkun e Korçës, të Gjirokastrës, Vlorës dhe Kukësit. Sipas vendimeve, 12 mandatet e qarkut të Korçës ndahen në mënyrë të barabartë mes dy koalicioneve; 6 i takojnë koalicionit të djathtë "Aleanca e ndryshimit' dhe 6 koalicionit të majtë "Bashkimi për ndryshim". Ndërsa për qarkun e Gjirokastrës shpërndarja e mandateve, sipas vendimit të KQZ-së, është: koalicioni "Aleanca e ndryshimit" 2 mandate dhe koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 3 mandate. Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në qarkun e Korçës ishin regjistruar 264 492 zgjedhës, ndërsa funksionuan 421 qendra votimi, të grupuara në 7 KZAZ. Ndërsa në qarkun e Gjirokastrës figuronin 121 683 zgjedhës të regjistruar në listat e votimit, ndërsa u ngritën 285 qendra votimi, të grupuara në 3 KZAZ. Sipas Kodit, nga shpërndarja e mandateve përjashtohen partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5% të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse.
Sipas vendimit të KQZ-së për qarkun e Kukësit, nga katër mandate që ka ky qark, 3 i takojnë koalicionit të djathtë "Aleanca e ndryshimit' dhe 1 koalicionit të majtë "Bashkimi për ndryshim". Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në qarkun e Kukësit u thirrën për të votuar 72 941 zgjedhës, ndërsa funksionuan 217 qendra votimi, të grupuara në 3 KZAZ. Sipas vendimit të KQZ-së për qarkun e Vlorës koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 5 mandate, ndërsa "Bashkimi për ndryshim" 7 mandate. Në qarkun e Vlorës figuronin të regjistruar 277 987 zgjedhës, ndërsa funksionuan 345 qendra votimi të grupuara në 6 KZAZ.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›