E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultati zyrtar i zgjedhjeve do të shpallet javën e parë të gushtit

Zëdhënësi i KQZ-së pohon afatin përfundimtar për shpalljen e rezultatit. Sot pritet të shqyrtohet ankimimi i PS-së për nëntë kutitë e qarkut të Fierit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli, deklaroi dje në një prononcim për mediat se rezultati përfundimtar zyrtar i zgjedhjeve të 28 qershorit do të shpallet javën e parë të muajit gusht. Olli gjithashtu bëri të ditur se kjo është një arritje për KQZ-në përsa i përket respektimit të afateve krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore. “Në rast se do të konsumohen të gjitha hapat e kërkesave ankimore, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit do të shpallet në fund të muajit korrik, ose në ditët e para të muajit gusht. Përsa u përket afateve kohore të ndjekura në këto zgjedhje, jemi shumë më herët se të gjitha zgjedhjet e mëparshme. Nuk mund të bëjmë krahasime mes zgjedhjeve të përgjithshme për në Kuvend dhe zgjedhjeve vendore. Por, në rast se e krahasojmë me zgjedhjet e kaluara parlamentare, mund të themi se kemi përmirësime të ndjeshme për shkak të zbatimit të Kodit të ri Zgjedhor”, - është shprehur zëdhënësi i KQZ-së, Olli. Ndërsa gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror Zgjedhor u vendos që sot të shqyrtohet ankimimi i PS-së për nëntë kutitë e qarkut të Fierit. Gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e KQZ-së miratuan tabelat përmbledhëse të rezultatit të disa qarqeve të vendit.
Ankimimi
Gjatë mbledhjes së sotme është vendosur të shqyrtohet kërkesa e PS-së për hapjen e 9 kutive të qarkut të Fierit. Objekti i kërkesës së PS-së është i gjerë dhe kundërshton vendimet e ndërmjetme të KZAZ-ve si dhe vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit në zonën zgjedhore të qarkut të Fierit.
Kërkesa ankimore prej 4 faqesh është firmosur nga Fatmir Xhafaj, sekretar për Çështjet Ligjore dhe koordinimin në Partinë Socialiste. Ajo shoqërohet edhe me kopje të vendimeve përkatëse të KZAZ-ve. Sipas shortit që u hodh për këtë çështje relatoi anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, dhe kërkesa u pranua të shqyrtohet gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, që do të zhvillohet në orën 17:00.
Në rast se anëtarët e shumicës i qëndrojnë asaj që kanë deklaruar kur miratuan tabelën përmbledhëse të rezultateve, tani, në fazën ankimore, ata duhet të japin pëlqimin e tyre për numërimin e kutive të pallogaritura, që sipas socialistëve, u jep atyre mandatin e 9-të në Fier. Në të kundërt, çështja mund të shkojë deri në Kolegjin zgjedhor të Gjykatës së Apelit, për një vendim të formës së prerë.
Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha fund nxjerrjes së rezultateve paraprake për të tëra qarqet, me miratimin e tabelave përmbledhëse për Vlorën dhe Lezhën.
Për qarkun e Lezhës përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklaruan se ankimimi është e vetmja rrugë ligjore që u mbetet atyre për të përfshirë në tabelën përmbledhëse rezultatet e 11 qendrave të votimit, që sipas tyre nuk janë përfshirë qëllimisht nga komisionerë socialistë.
KQZ-ja filloi edhe shpërndarjen zyrtare të mandateve për koalicionet për zonat zgjedhore të qarkut të Kukësit, Gjirokastrës dhe Korçës, zona për të cilat asnjë forcë politike nuk kishte paraqitur ankimim për rezultatin brenda afatit që parashikon ligji. Në mbledhje ra në sy vota "pro" e anëtarëve të pakicës në KQZ, të cilët, kur ishte miratuar tabela përmbledhëse e rezultateve të këtyre qarqeve, kishin votuar kundër. Nënkryetarja Subashi shpjegoi se përderisa asnjë parti nuk e kishte ankimuar tabelën e rezultateve, ajo mund ta jepte votën e saj për shpërndarjen e mandateve.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›