Ylli: “PS-ja gënjen, LSI-ja nuk përfaqësohet dhe nuk ka ndikim në KQZ”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas akuzave të Partisë Socialiste, sipas së cilës kreu i LSI-së, Ilir Meta, po keqpërdor politikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të deformuar vullnetin e zgjedhësve. Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli, iu kundërpërgjigj akuzave të deputetit Balla. Ylli tha se LSI-ja mohon me neveri të gjitha akuzat që e lidhin këtë forcë me ndikimin në vendimet e KQZ-së. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të ketë turp që bën deklarata të tilla, pasi të gjithë shqiptarët e dinë se LSI-ja nuk ka asnjë përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “LSI-ja hedh poshtë me neveri të gjitha insinuatat e Partisë Socialiste që e lidhin LSI-në me ndikimin në vendimet e KQZ-së, apo të çdo lloj komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet. PS-ja duhet të ndjejë turp kur shprehet në këtë mënyrë, sepse edhe shqiptari më i fundit e di fare mirë se LSI-ja nuk ka asnjë përfaqësues në asnjë komision ku merren vendimet për zgjedhjet dhe opinioni publik gjithashtu e di mirë se shkaku kryesor që LSI-ja nuk përfaqësohet në këto komisione është pikërisht kundërshtimi i egër i PS-së. Ne bëjmë thirrje që rezultati i zgjedhjeve duhet të administrohet me qetësi dhe të analizohet me përgjegjshmëri qoftë mesazhi politik i këtyre zgjedhjeve, qoftë edhe standardet problematike të tyre”, - deklaroi Ylli. Ai konfirmoi gjithashtu se LSI-ja po vazhdon procesin e dokumentimit dhe të evidentimit të parregullsive të procesit të administrimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Yllit, LSI-ja do të vijojë edhe me ankimimet përkatëse për të gjitha ato zona ku ajo ka vërejtur parregullsi gjatë procesit të numërimit.
Ylli reagoi edhe ndaj deklaratave të anëtarit të Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, i cili kishte thënë se LSI-ja tradhtoi elektoratin e majtë me vendimin e saj për të bashkëqeverisur me Berishën. Ylli tha se Klosi jo vetëm që nuk bëri asnjë ditë fushatë për LSI-në në zgjedhjet e 28 qershorit, porse të gjitha këto deklarata që ai ka bërë janë në funksion të interesit të tij të ngushtë dhe personal me Bashkinë e Tiranës.
10 Korrik 2009