E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e Shkodrës, Rama e Braçe ankohen për Topin

Konkluzionet e procesit hetimor për zgjedhjet në qarkun e Shkodrës dhe platforma anti-korrupsion kanë qenë temë e diskutimit të djeshëm mes kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, Presidentit Bamir Topi dhe deputetit socialist Erjon Braçe. Dy zyrtarët e opozitës kanë mbërritur në selinë e kreut të shtetit dhe me kërkesën e tyre kanë informuar Presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e drejtësisë. Në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga zyra e zotit Topi thuhet se “pasi i dëgjoi me vëmendje, Kryetari i Shtetit dhe njëkohësisht Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i siguroi se institucionet e drejtësisë do të shqyrtojnë çështjen në fjalë me paanshmëri në funksion dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Shkodra

Burimet nga selia rozë sqarojnë se në takimin e djeshëm, tema kryesore ka qenë ajo e konkluzioneve të prokurorisë së rrethit të Shkodrës në lidhje me padinë e bërë prej Partisë Demokristiane për manipulimin e votave të 28 qershorit në këtë qark. Socialistët i kanë shprehur zotit Topi shqetësimin se në këtë rast kemi të bëjmë me një manipulim të kryer përtej manipulimit të parë me votat. Rama dhe Braçe i janë referuar kështu konkluzionit të organit të akuzës që deklaroi pak ditë më parë se në Shkodër nuk ka pasur manipulim votash. Opozita ka kërkuar kështu ndërhyrjen e kreut të shtetit, për të mundësuar transparencën në procesin hetimor të kryer prej organit të akuzës në qarkun verior. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Nard Ndoka pretendoi se PD-ja i kishte vjedhur të paktën një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës. Pretendimet e demokristianëve, së bashku me dy CD pamjesh filmike nga procesi i numërimit, iu dorëzuan asokohe Prokurorisë, me kërkesën për të nisur hetimet mbi manipulimet e dyshuara. Pasi ka hetuar çështjen që përfshiu dy KZAZ të Shkodrës, ato me numër 40 dhe 42, pasi sekuestroi dhe hapi kutitë e votimit të katër qendrave, Prokuroria e Shkodrës ka kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale, për të arritur në përfundimin se nuk ka pasur manipulim apo vjedhje votash në Shkodër.

Antikorrupsioni

Prezenca e anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, Erjon Braçe, në takimin e djeshëm në Presidencë ka ngjallur interes për shkak se vetëm pak ditë më parë ai publikoi dhe dorëzoi në strukturat e partisë atë çka e cilësoi “drejtësi mbi korrupsionin! 6 angazhime parimore për të shembur sistemin korruptim”. Në takim mësohet se Braçe ka njohur kreun e shtetit me këto parime, duke ofruar edhe idetë e tij për mënyrën se si mund të zbatohen ato në praktikë. Në këtë dokument, Braçe kërkonte që PS të angazhohej për ndëshkimin e zyrtarëve të çdo niveli qeverisës, si detyrim politik e ligjor, të rithemelojë kulturën e ndëshkueshmërisë administrative e penale, për favorizuesin, ushtruesin, përfituesin nga korrupsioni, pa i ndarë në tanët, të kundërshtarit apo të përbashkët. Së dyti, ai propozoi që ndëshkimi i zyrtarëve të çdo niveli qeverisës, të lehtësohet nga zhveshja e zyrtarëve prej imunitetit. Së treti Braçe vlerëson se ndëshkimi i zyrtareve të çdo niveli qeverisës të shtrihet në produktin e korrupsionit; konfiskimin, shtetëzimin dhe kthimin publikut, të çdo pasurie të paligjshme. Së katërti propozohet të ndërtohet një marrëdhënie e re, ligjore e administrative me sipërmarrjen, ashtu sikurse së pesti të mbrohet prona publike nisur nga parimet e interesit publik, shërbimit publik, eficencës së shfrytëzimit të burimeve. Së gjashti, Braçe propozon të njihet, të kthehet, kompensohet dhe garantohet prona private e drejta e përdorimit të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›