Raporti: Shqipëria, në 2007 asnjë hap drejt lirisë
"Freedom House": Vendi renditet në të njëjtët parametra që është që prej 2003 për standardet
Korrupsioni i lartë dhe zbatimi i vakët i ligjit mbeten probleme të pazgjidhura të vendit
Gjatë vitit 2007 vlerësohet se ka pasur një presion në rritje nga ana e qeverisë ndaj mediave që bëjnë opozitë. "Freedom House" vlerëson se qeveria ka orientuar edhe reklamat në drejtim të atyre mediave që mbajnë një politikë proqeveritare dhe në disa raste është zbatuar politika e gjobave për të vendosur censurën
Korrupsioni i lartë, efiçensa e ulët e qeverisë, zbatimi në nivele të ulëta i ligjit dhe problemet me gjyqësorin janë pengesat kryesore që nuk lejojnë vendin që të renditet në nivelet e kërkuara të lirisë. Mungesa e një sistemit që mund të mundësojë zgjedhje të lira është një pikë tjetër negative në këta raport
Julian Llupo
Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap para drejt demokracisë gjatë vitit 2007. Raporti i fundit i realizuar nga organizata prestigjioze amerikane "Freedom House" e rendit vendin në të njëjtat nivele që ai ka qenë gjatë 5 viteve të fundit, duke treguar se në vend vazhdon që të ketë mungesa të mëdha të këtyre lirive dhe të drejtave që janë legjitime për një vend që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, Sërish vazhdojmë të mbetemi "pjesërisht të lirë" përsa i përket standardeve të demokracisë nga organizata prestigjioze amerikane "Freedom House". Në raportin e përvitshëm që publikoi dje për periudhën 1 janar 2007-31 dhjetor 2007 , vendi ynë vlerësohet me të njëjtat parametra, duke pasur probleme të mëdha me korrupsionin dhe qeverisjen. Në indeksin e vlerësimit, Shqipëria ka parametra në raportet 3-3, të njëjta si në katër vitet e fundit, duke mos u përfshirë ende në listën e shteteve me demokraci të zhvilluar, të cilat renditen në hartën e gjelbër të paraqitur nga ana e organizatës amerikane. Duket se në dekadën e fundit, jo vetëm Shqipëria, por mbarë bota, ndodhen në një situatë gati të palëvizshme të parametrave të lirisë. Pavarësisht këtij fakti, Kroacia dhe Serbia janë vlerësuar nga ana e "Freedom House" për vitin 2007 si vende tërësisht të lira, duke treguar se kanë mundur që të mposhtin korrupsionin dhe të krijojnë një klimë të favorshme të zbatimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Bllokimi i reformave
Në këtë raport përfshihen një sërë treguesish që janë marrë në studim nga "Freedom House". Kështu në Liritë Politike përfshihen studime mbi Procesin Elektoral, Pluralizmi Politik, Funksionimi i Qeverisë etj. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e kësaj organizate, Shqipëria vazhdon që të vuajë nga korrupsioni i lartë dhe transparenca e ulët e qeverisë. Edhe procesi zgjedhor vazhdon që të vlerësohet si i deformuar nga ana e kësaj organizate, ndërsa qeveria merr vlerësime të ulëta në nivelin e saj të efiçensës.
Në liritë civile raporti i "Freedom House" për vitin 2007 merr në konsideratë sistemin ligjor dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë indeks të lirisë përfshihet edhe liria e medias. Gjatë vitit 2007 organizata amerikane ka nxjerrë një sërë mangësish në këtë drejtim, ku vlerësohet presioni në rritje nga ana e qeverisë ndaj mediave që bëjnë opozitë. "Freedom House" vlerëson se qeveria ka orientuar edhe reklamat në drejtim të atyre mediave që mbajnë një politikë proqeveritare. Gjobat dhe presionet e tjera kanë qenë prezente ndaj medias opozitare sipas "Freedom House", duke u bërë pengesë për fjalën e lirë në vend.
Studimi
Në raportin e bërë nga ana e "Freedom House" për vitin 2007 Shqipëria ndodhet në të njëjtat nivele si në vitet 2006, 2005, 2004, 2003. Në një vlerësim që për një vend të lirë përfaqësohet nga 1 dhe për një vend jo të lirë që klasifikohet me mungesë totale të lirisë që përfaqësohet nga 7 , Shqipëria merr një vlerësim me 3 për të Liritë politike dhe ato civile. Referuar raportit, Shqipëria vazhdon të vuajë nga një korrupsion i lartë dhe një zbatim i vakët i ligjeve në fuqi. Ka një pavarësi në nivele të ulëta të gjyqësorit, ndërsa qeveria paraqet një efiçensë të ulët.Në sistemin e vlerësimit që përdoret për matjen e shkallës së lirisë, që nga 2003, kemi të njëjtat parametra vlerësimi 3-3. Në listën e vendeve "pjesërisht të lira" në rajon, bashkë me Shqipërinë, janë edhe Maqedonia, Turqia dhe Mali i Zi. Vende që janë vlerësuar si të lira janë Serbia dhe Kroacia që janë një hap para në këtë vlerësim.
Renditja globale
PARAMETRAT PËR SHQIPËRINË
Liritë politikeLiritë Civile
VITI 2000-200145pjesërisht i lirë
VITI 2001-200234pjesërisht i lirë
VITI 2002 – 200333pjesërisht i lirë
VITI 2003 – 200433pjesërisht i lirë
VITI 2004 – 200533pjesërisht i lirë
VITI 2005 – 200633pjesërisht i lirë
VITI 2006 – 200733pjesërisht i lire
VITI 2007—200833pjesërisht i lirë