E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Do të integrojmë energjinë me Kosovën

Bashkëpunimi

Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë mendon se integrimi ekonomik i dy vendeve shqipfolëse duhet të nisë nga sektori i energjisë elektrike

Që prej shumë kohësh, është aluduar se Shqipëria dhe Kosova duhet të integrojnë rrjetet e tyre energjetike në mënyrë që të përfitojnë energji të bollshme dhe me kosto të ulët. Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, z. Genc Ruli, deklaroi edhe një herë dje gjatë takimit me katër ministra të Kosovës, se Shqipëria po përgatitet të ndërtojë një linjë të re interkonjeksioni me Kosovën dhe se prodhimi i energjisë me hidrocentrale në Shqipëri do të balancohet më së miri me prodhimin me termocentrale në Kosovë.

"Ministri Ruli dhe homologia e tij, Shiroka, e kanë vënë theksin tek bashkëpunimi në fushën e energjisë. Të dy ministrat kanë vërejtur se sistemi elektroenergjitik shqiptar dhe ai kosovar janë shumë komplementare", - thuhet në një njoftim zyrtar.

Megjithëse teorikisht bashkëpunimi është i leverdishëm dhe i mundshëm, nga pikëpamja ekonomike, duket se të dy vendet janë shumë larg kësaj dhe se kapacitetet e tyre financiare janë shumë të dobëta. Shqipëria mund të rrisë prodhimin me 60% me kapacitetet ekzistuese në rast se gjen burim të sigurt energjie dhe termocentralet e qymyrit në Kosovë duket se janë burimi më i afërt. Por tani për tani, të dy vendet janë importuese neto të energjisë elektrike, ndërsa Shqipëria ka dëshmuar se nuk është e aftë të programojë zhvillim të sigurt dhe të shpejtë të këtij sektori. Kosova ka pak kapacitete prodhuese dhe i ka shumë të amortizuara. Sipas analizave të KEK, vendit i nevojiten 1.5 miliardë euro investime urgjente vetëm për të mbajtur në këmbë sistemin aktual. Vetëm pak ditë më parë, një defekt në termocentralin Kosova B, përgjysmoi prodhimin e energjisë elektrike e për pasojë, shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme në furnizim.

Sipas specialistëve shqiptarë, dy janë rrugët kryesore në përmirësimin e situatës. Përfundimi i TEC-ve dhe linjat e interkonjeksionit, së bashku me ndërtimin e linjave që sjellin gaz. Ata thonë se linja e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Vau i Dejës, që do jetë e dyfishtë, do të ketë degëzimet e saj me Podgoricën dhe Prishtinën dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e kostove për blerjen e energjisë nga vendi ynë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›