E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode shpërfill FMN: Jemi të pavarur

 

Ministri i Financave deklaroi se "do të rrisë pagat shumë më tepër sesa inflacioni", por nuk deklaroi se sa do të jetë rritja

Qeveria ka nënshkruar marrëveshjen për reduktim të shpenzimeve me 242 milionë euro, por refuzon ta komentojë

"Ne do t'i rrisim pagat ashtu si e kemi premtuar", - kjo qe deklarata e djeshme e ministrit të Financave, z. Ridvan Bode, i cili sinjalizoi në këtë mënyrë se Shqipëria mund të mos e respektojë këshillën e FMN-së për reduktim të shpenzimeve.

Më herët, kryeministri Berisha pati deklaruar se do të rrisë pagat dhe pensionet. Por si kryeministri, ashtu edhe kreu i financave nuk deklaruan se sa do t'i rrisin. Të martën e kaluar, FMN deklaroi në një konferencë të përbashkët për shtyp me Financat dhe Bankën e Shqipërisë se "kishin rënë dakord për uljen e deficitit buxhetor në 5.2% për këtë vit" dhe se "buxheti aktual nuk lë shumë hapësira për rritje pagash dhe pensionesh". Ulja e deficitit në këtë nivel nënkupton shkurtim shpenzimesh prej 242 milionë eurosh dhe përballë humbjeve të larta të KESH dhe rritjes së kostos së rrugës Durrës-Kukës, financat publike janë në vështirësi reale, ndërkohë që "rritja e pagave mund të sjellë rritje të mëtejshme çmimesh", sipas Guvernatorit të BSH, Ardian Fullani.

Por pavarësisht se marrëveshja për uljen e deficitit është firmosur, qeveria duket e gatshme të mos e respektojë angazhimin, ndonëse nuk pranon të flasë konkretisht as për shkurtim shpenzimesh e as për mosrritje pagash.

Më 24 prill, Ministria e Financave deklaroi një plan të detajuar për rritjen e pagave të sektorit publik. Plani qe që fondi rezervë i destinuar për rritje pagash të shtohej nga 4.6 në 6 miliardë lekë, (rreth 49 milionë euro), për të garantuar rritjen 10% të pagave buxhetore si dhe 5% të pensioneve të qytetit e 10% për pensionet e fshatit.

Dje, ministri i Financave, z. Ridvan Bode, nuk dha detaje kaq të hollësishme sa në fund të prillit, por deklaroi se "rritja e pagave do të jetë shumë më e madhe sesa rritja e inflacionit".

"Qeveria ka deklaruar se do të rrisë pagat dhe pensionet me ritme të larta. Për katër vjet do të dyfishojmë pensionet dhe pagat e ulëta. Më 1 korrik do të kemi rritje që do të jetë shumë më tepër sesa inflacioni. Ne do të vazhdojmë të jemi në mbështetje të konsumatorit", - tha Bode, i cili deklaroi se Shqipëria nuk është në krizë dhe se inflacioni te ne është më i ulëti në rajon. Sipas ministrit, rritja e pagave nuk do të provokojë inflacion, ndërkohë që do të mbajë të paprekur fuqinë blerëse dhe do të promovojë rritjen ekonomike. Ky është një konkluzion shumë i ndryshëm nga ai i FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë. Të dy institucionet deklarojnë se rritja e pagave do të sjellë importe më të larta dhe se vendi ka një rrezik konkret kolapsi financiar. "Rritja e deficitit tregtar mund të sjellë luhatje të forta në kursin e këmbimit", - deklaroi BSH pak javë më parë. Ulja e shpenzimeve buxhetore sipas këshillës së FMN-së, synon pikërisht kontrollimin e kursit të këmbimit, pengimit të rritjes së importeve dhe stabilitetin e çmimeve në tërësi. Ish-ministri i Financave, z. Arben Malaj deklaroi dje se "qeveria duhet të jetë e kujdesshme në rritjen e pagave, për shkak se deficiti tregtar i vendit është shumë më i lartë sesa rritja ekonomike".

Inflacioni

Rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar është pasqyruar në Shqipëri vetëm në mënyrë të pjesshme. Për pasojë, vendi ka sot një normë inflacioni që shkon sa gjysma e mesatares së vendeve të rajonit. Rritja më e paktë e çmimeve në vend lidhet ngushtë me nivelin e ulët të hapjes së ekonomisë shqiptare kundrejt tregut ndërkombëtar. Inflacioni në mallrat bazë në tregun ndërkombëtar shfaqet në Shqipëri te çmimi i drithit, naftës e energjisë elektrike, por jo te çmimi i mishit e bulmetit dhe pak te çmimi i vezëve, kryesisht për shkak se Shqipëria prodhon mish dhe bulmet për të plotësuar konsumin e vet dhe nuk i eksporton dot këto produkte. Ekspertët e FMN-së tashmë druhen se përveç presioneve inflacioniste nga krahu i ofertës, do të ketë edhe presion inflacionist nga ana e kërkesës, nëse qeveria nuk përmban shpenzimet. Aludohet se rritja e pagave do të sjellë importe më të larta në grupin "ushqime të përpunuara", gjë që do të rrisë edhe inflacionin e importuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›